Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Blatter eviton dëshminë në fillim të gjyqit të FIFA-s për mashtrim

Plot buzëqeshje dhe besim përpara se të hynte në sallën e gjyqit, ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, pohoi më vonë, të mërkurën, se ai ishte i shqetësuar nga dhimbjet e gjoksit dhe nuk ishte në gjendje të dëshmonte në ditën e hapjes së gjyqit të tij penal. Dikur njeriu më i fuqishëm në botën e futbollit, Blatter po përballet me akuzat për mashtrim të FIFA-s, në një gjykatë penale zvicerane.

Ai është në gjyq së bashku me francezin Michel Platini, ish-këshilltarin e tij, i cili ishte konsideruar pasardhësi i Blatterit si president i organit drejtues të futbollit. Platini ishte gjithashtu në gjykatë, i ulur me një përkthyes pas Blatterit. 86-vjeçari Blatter do të merrej në pyetje të mërkurën, por kur ai u thirr në bankën e të akuzuarve rreth një orë përpara se gjykata të planifikohej të shtyhej - pas disa mocioneve nga mbrojtja që u refuzuan - ai kërkoi ë të përgjigjej të enjten në mëngjes, kur edhe Platini do të merret në pyetje.

“Nuk jam mirë. Unë i kam këto probleme që vijnë dhe ikin”, tha Blatter, i ulur me avokatin e tij në një stol të gjatë, me një zë pak më të lartë se një pëshpëritje. “Nuk mund të marr frymë mirë. Unë nuk ndihem i aftë për momentin për t'iu përgjigjur pyetjeve”.

Blatter më parë ishte larguar nga salla për një pushim - një tjetër lëshim që i ishte dhënë për shkak të moshës së tij - duke ecur ngadalë dhe duke u shtrënguar mbi supin e vajzës së tij, Corinne Blatter Andenmatten.

“Shpresoj që të enjten të ndihem më mirë”, tha Blatter.

Edhe Blatter dhe Platini përsërisin pafajësinë në dëshminë e tyre në gjykatë Sport Blatter dhe Platini përsërisin pafajësinë në dëshminë e tyre në gjykatë

Gjyqi pritet të zgjasë 11 ditë dhe gjykata do të qëndrojë vetëm deri në drekë çdo ditë për shkak të shëndetit të Blatterit. Ai ishte në komë pas një operacioni në zemër 18 muaj më parë. Ish-presidenti i FIFA-s mbërriti në Gjykatën Penale Federale të Zvicrës në Bellinzona me një humor të gjallë, duke shprehur besim kur u pyet për shanset e tij.

“Absolutisht, absolutisht, absolutisht”, tha Blatter. “Ndihem optimist, si gjithmonë. Me rrezet e bukura të diellit. Është dita e parë e një prove që do të zgjasë pothuajse dy javë. Nëse nuk do të ndihesha i sigurt ditën e parë, do të ishte keq. Unë kam shumë besim”.

Sundimi 17-vjeçar i Blatterit si president i FIFA-s mori fund në qershor të vitit 2015, kur ai dha dorëheqjen mes një skandali të korrupsionit. Disa muaj më vonë prokurorët federalë në Zvicër zbuluan hetimin e tyre për një pagesë prej 2 milionë dollarësh nga FIFA për Platinin katër vjet më parë. Të dy, Blatter dhe Platini kanë mohuar prej kohësh akuzat dhe pretendojnë se kanë pasur një marrëveshje verbale në vitin 1998 për paratë. Kjo mbrojtje fillimisht dështoi me gjyqtarët në komitetin e etikës të FIFA-s, i cili i ndaloi ata nga futbolli dhe më vonë në apelime të veçanta në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“A është futbolli pranë meje? Futbolli jam unë. Kanë kaluar 45 vjet që i shërbej FIFA-s, futbollit ndërkombëtar. Dhe është jeta ime, është jeta ime profesionale”, shtoi Blatter para se të hynte brenda në gjykatë. “Tani më duhet të mbrohem pak, por do të mbrohem mirë, me një avokat dhe kaq, sepse e kam ndërgjegjen e pastër”.

Pasojat nga ky rast i dhanë fund edhe kampanjës së Platinit për të pasuar ish-mentorin e tij dhe bëri që francezi të largohej nga posti i presidentit të UEFA-s, organit qeverisës të futbollit evropian. Avokati i Platinit, Dominic Nellen, u përpoq që gjykimi të zhvendosej në një gjykatë lokale, por kërkesa e tij u refuzua.

“Më në fund, seanca filloi, por në stadiumin e gabuar”, tha Nellen në gjykatë.

Avokatët e Blatterit dhe Platinit gjithashtu nuk arritën të refuzonin kërkesën civile të FIFA-s për të rikuperuar paratë.

“Pagesa prej 2 milionë dollarësh nga Blatteri te Platini nuk u miratua kurrë nga FIFA”, tha avokatja e organit qeverisës, Catherine Hohl-Chirazi. “Është e qartë se edhe federata u dëmtua: 2 milionë u vodhën”.

Edhe Blatter dhe Platini më në fund do të dalin para gjykatës për mashtrim në FIFA Sport Blatter dhe Platini më në fund do të dalin para gjykatës për mashtrim në FIFA

Si Blatter ashtu edhe Platini pritet të japin fjalën përmbyllëse më 22 qershor, kur përfundon gjyqi.

Tre gjyqtarët federalë që dëgjuan çështjen janë planifikuar të japin verdiktin e tyre final më 8 korrik. Blatter dhe Platini përballen secili me deri në pesë vjet burg, por dënimet me kusht janë një opsion i mundshëm për ta.