Ish-zyrtarët e FIFA-s, Sepp Blatter dhe Michel Platini, u akuzuan për mashtrim dhe vepra të tjera nga prokurorët zviceranë të martën pas një hetimi gjashtëvjeçar për një pagesë të diskutueshme prej dy milionë dollarësh.
85-vjeçari Blatter dhe 66-vjeçari Platini, tani përballen me një gjykim në gjykatën penale federale në Bellinzona. Ata mund të dënohen me disa vite burg nëse shpallen fajtorë, megjithëse rastet zvicerane shpesh kërkojnë vite për të arritur një përfundim. “Kjo pagesë dëmtoi asetet e FIFA-s dhe pasuroi Platinin në mënyrë të paligjshme”, thanë prokurorët federalë zviceranë në një deklaratë.
Çështja u hap në shtator të vitit 2015 dhe e rrëzoi Blatterin përpara afatit si president i FIFA-s. Kjo i dha fund gjithashtu fushatës së Platinit për të pasuar ish-mentorin e tij. Akuza përqendrohet në kërkesën me shkrim të Platinit drejtuar FIFA-s në janar 2011 për t'iu paguar pagë shtesë që ka punuar si këshilltar presidencial në mandatin e parë të Blatterit për periudhën 1998-2002.
Blatter i tha FIFA-s që të bënte pagesën brenda javësh. Ai po përgatitej të bënte fushatë për t’u rizgjedhur në krye të FIFA-s, në një garë kundër Mohamed bin Hammam të Katarit, ku ndikimi i Platinit me votuesit evropianë shihej si një faktor kyç. "Dëshmitë e mbledhura nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kanë vërtetuar se kjo pagesë ndaj Platinit është bërë pa bazë ligjore”, thanë prokurorët. Si Blatter ashtu edhe Platini kanë mohuar prej kohësh akuzat dhe kanë përmendur një marrëveshje verbale që kishin bërë, tani më shumë se 20 vjet më parë, për t'u paguar paratë.
Blatter është akuzuar për mashtrim, keq menaxhim, shpërdorim të fondeve të FIFA-s dhe falsifikim të një dokumenti. Platini është akuzuar për mashtrim, shpërdorim, falsifikim dhe si bashkëpunëtor në keq menaxhimin e supozuar të Blatterit. Akuzat për mashtrim dhe falsifikim mund të dënohen me burgim deri në pesë vjet. “Unë i shoh me optimizëm procedurat në Gjykatën Penale Federale – dhe shpresoj që, me këtë, kjo histori do të marrë fund dhe të gjitha faktet do të trajtohen në mënyrë të pastër”, tha Blatter në një deklaratë. Platini, nuk u vu nën hetim zyrtar deri vitin e kaluar, dhe muaj më vonë akuza më e rëndë për mashtrim u përfshi kundër të dy personave. Edhe Platini insistoi se është i pastër dhe se kjo do të vërtetohet.
“Unë i kundërshtoj plotësisht këto akuza të pabaza dhe të padrejta”, tha Platini. Platini ka thënë prej kohësh, dhe Blatteri e përsëriti të martën, se ka deklaruar pagesën dhe ka paguar taksat për të në Zvicër.