Tifozët kanë mbetur të habitur dhe kanë filluar talljet me skuadrën e Birmingham Cityt, që mori vendim për të tërhequr fanellën me numrin 22 të futbollistit të ri Jude Bellinghman, pavarësisht se 17-vjeçari ka luajtur vetëm 44 ndeshje me ekipin anglez dhe prej edicionit të ardhshëm do të jetë pjesë e Borussia Dortmundit. Klubi që bën gara në Championship bëri njoftimin e befasishëm, pasi Bellingham luajti ndeshjen e fundit të mërkurën mbrëma, të cilën Birmingham City e humbi në shtëpi nga Derby County (3:1). Menjëherë pas ndeshjes klubi lëshoi një komunikatë kur bëri të ditur për vendimin e tërheqjes së fanellës me numrin 22 që e ka bartur Bellingham.
“Fanella me numrin 22 është bërë sinonim i Judes, ngritja e tij në ekipin e parë me vetëm 16 vjet e 38 ditë dhe cilësitë e tij, kanë bërë që ai të jetë i veçantë. Dhe për këtë arsye klubi ka vendosur do të ishte e përshtatshme të tërhiqet fanella me numrin e tij, që ta kujtojmë atë si një prej lojtarëve tanë dhe të frymëzojmë të tjerët”, thuhet në komunikatën e klubit.
Kështu që, me veprimin e Birminghamit, Bellingham u bashkohet lojtarëve legjendarë si Bobby Moore, Diego Maradona, Paolo Maldini, Franco Baresi, Javier Zanetti dhe Johan Cruyff që gjithashtu janë nderuar me tërheqjen e fanellës në klubet ku kanë luajtur në shenjë nderimi. Në basketboll, legjenda e NBA-s, Kobe Bryant, kishte dy numra - 8 dhe 24 – që u pensionuan nga skuadra e tij, Los Angeles Lakers. Ndërkohë, edhe Chicago Bulls ka tërhequr fanellën me numrin 23 të Michael Jordanit. Mirëpo vendimi i Birminghamit nuk është pritur mirë, jo vetëm nga tifozët e klubit, por edhe nga tifozët e tjerë anglezë. Ata kanë reaguar nëpër rrjetet sociale, duke e quajtur vendimin e Birminghamit si “gjëja më e sikletshme që një klub futbolli ka bërë ndonjëherë” dhe “gjëja më e dobët që kanë parë në jetën e tyre”.
Mesfushori Bellingham, në fillim të kësaj jave e kompletoi transferimin e tij te Borussia Dortmundi që pagoi 25 milionë euro dëmshpërblim. Birminghami i dha një lamtumirë të veçantë Bellinghamit në stadiumin “St Andreë” pas lojës me Derby Countyn. Bellingham është rritur te Birminghami, ekip të cilit iu bashkua me vetëm shtatë vjet.
“Unë e dua klubin, i cili do të thotë shumë për mua. Unë thjeshtë, shpresoj që tifozët të kenë shijuar ndeshjet e mia gjatë kohës sa isha pjesë e ekipit të parë. Birmighami, gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time, sepse është klubi im. Mbi të gjitha, unë jam tifozë i Birmighamit dhe për mua ka qenë privilegj të jem pjesë e tij”, tha Bellingham pas ndeshjes së tij të fundit me fanellën që tashmë është tërhequr.
Edhe
Pse Bellinghami është “tre mesfushorë në një”?
Por, vendimi për të tërhequr numrin e tij - i veshur më parë te Birminghami nga lojtarët Stephen Kelly, Aleksandr Hleb, Nathan Redmond dhe Carl Jenkinson - u prit me tallje.
Njëri prej tifozëve të Birmighamit në postimin e tij në “Twitter”, shkroi: “Një vit me ekipin e parë dhe katër gola të shënuara, dhe t’i tërhiqet numri? Ky është një veprim i turpshëm!”.
Ndërkohë, një tjetër, shtoi: “Ka tifozë që kanë bërë më shumë paraqitje në stadium sesa ai”.
Në të vërtetë, tifozët e klubit kanë kërkuar nga drejtuesit e Birmighamit që të kthejnë vendimin prapa dhe mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë reagim në këtë aspekt.
Edhe
Bellinghami i përshtatet rolit të liderit derisa Dortmundi rreshton fitoret
“Një vendim shumë i çuditshëm. Jude, një lojtar perspektiv, por të tërheqësh fanellën e tij nuk ka asnjë kuptim. Ka shumë lojtarë që kanë luajtur për klubin dhe kanë qenë shumë më të mirë, por nuk janë nderuar në këtë mënyrë. Shpresoj që klubi të dëgjojë kërkesat tona dhe të reflektojë”, ishte postimi i një tifozi tjetër të Birmighamit.
Birminghami City këtë edicion në Championship e ka përfunduar në pozitën e 20-të në tabelë me 50 pikë të tubuara, dy më shumë se pozita që ka dërguar në një rang më të ulët garash në edicionin 2020/21. Bellingham para fillimit të këtij edicioni u promovua në ekipin e parë dhe krahas katër golave në 44 paraqitje kampionale, ka bërë edhe tri asistime. Ai është pjesë e ekipit U17 të Anglisë.