Mbajtja e fokusit të gara për titull të Premier Leagues gjatë mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit ishte betejë mentale, me gjithë përpjekjet individuale për të ruajtur formën fizike. Kështu ka thënë mbrojtësi i Liverpoolit, kroati Dejan Lovren.
“Nuk ishte e lehtë pasi ne jemi të mbyllur në shtëpitë tona për 46 ditë”, ka thënë reprezentuesi kroat për Sportske Novosti.
“Aspekti psikologjik është më i vështiri. Unë kam bërë ushtrime individuale aq sa kam mundur. Kam goditur topin së bashku me djalin tim në oborr, por stërvitja me skuadrën është plotësisht ndryshe”.
Premier League është pezulluar më 9 mars, ndërsa nuk ka ndonjë vendim se kur do të rifillojë. Pritet që ndeshjet të luhen në terrene neutrale, ndërsa tashmë është e qartë se shikues nuk do të ketë në stadiume. Javën tjetër pritet të merret ndonjë vendim sa i takon rifillimit, pasi kjo nuk ndodhi të premten.
Liverpooli është pranë që të fitoj titullin e parë prej vitit 1990.
Lovren ka treguar se ishte e vështirë të mbahej motivi në rutinën ditore që e sollën rrethanat.
“Mundohem të qëndroj i motivuar. Zgjohem në mëngjes dhe i them vetes: ‘do të bëjë stërvitje të fortë sot’. Të paktën ia kam dalë të humbas pak peshë gjatë kësaj periudhe. Por po ashtu kam humbur pak masë në këmbët e mia, pasi nuk zëvendësohet stërvitja 90 prej minutave me skuadrën. Nuk mund të bëhet stërvitje për këmbë në palestër për 90 minuta”.
Lovren shpreson se kampionati do të vazhdojë.
“Shpresoj se UEFA dhe FIFA do të gjejnë një zgjidhje që mos të detyrohemi të luajmë 15 ndeshje për 30 ditë. Na duhet kohë e lirë. Kjo në fakt nuk ishte kohë e lirë, pasi lojtarët duhet të rikuperohen mentalisht nga pandemia dhe karantina”.