Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Premier League mbyll pa probleme projektin “Rifillimi”

Sezoni më i gjatë në Premier League, më në fund do të përfundojë të dielën, vetëm dy javë më pak se një vit kalendarik që nga fillimi, por fakti që ai do të mbyllet në fushën e lojës është një shkak për festë pas muajsh pasigurie të shkaktuar nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Në 100 ditët pa ndeshje, midis 9 marsit dhe 17 qershorit, kishte dyshime të mëdha se sezoni mund të rifillonte në vendin me numrin më të madh të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë. Rikthimi i ligës më të pasur në botë nuk ka qenë i përsosur. Tribunat e zbrazëta kanë bërë që nëpër stadiume të dëgjohen klithmat e lojtarëve ndaj njëri-tjetrit dhe jo atmosfera që krijohet dikur prej tifozëve. Pushimi i ujit në secilën pjesëlojë, madje edhe në ndeshjet e luajtura në kushte me shi anglez, dhe shansi për secilën skuadër të bëjë pesë zëvendësime kanë prishur më tej rrjedhën e një kampionati që shpesh e shet veten si një produkt i shpejtë. Por mes sfondit të shkatërrimit financiar që anulimi i sezonit do të shkaktonte, sërish këto ndeshje ishin më se të mirëseardhura për të gjithë.

“Është dashur të japim më të mirën nga vetja, pavarësisht situatës së krijuar”, tha trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, pasi skuadra e tij ngriti trofeun e kampionit në Premier League. “Gjithçka do të ishte më mirë me tifozët, por me muaj e dinim se do të ishte e pamundur. Disa muaj më parë mendova se ishte e pamundur që të luajmë futboll”.

Duke u rikthyer edhe pas dyerve të mbyllura, implikimet financiare për Premier Leaguen që mund të pësonte një humbje të mundshme prej një miliard funtesh janë lehtësuar, por nuk janë zhdukur plotësisht. Klubet kryesore elitare të Anglisë raportohet se po përballen me një faturë zbritjeje prej rreth 330 milionë funtesh nga transmetuesit pasi ndeshjet nuk mund të përfundonin në orar. Të ardhurat nga shitja e biletave për ndeshje, gjithashtu, janë zhdukur për shkak se nuk kishte tifozë në tribuna dhe mbetet e pasigurt nëse ata mund të rikthehen për sezonin 2020/21, që do të fillojë në muajin shtator. Transmetuesit u mbajtën anash, megjithëse, duke u dhënë të drejta për më shumë ndeshje të drejtpërdrejta, shumë prej të cilave u shfaqën falas në Mbretërinë e Bashkuar, dhe një program të bërë për TV që pa vetëm katër ditë pa një ndeshje në Premier League ndërmjet 17 qershorit dhe 22 korrikut. Transmetimi i ndeshjeve falas, pati edhe përfitimin e shtuar të ruajtjes së interesit publik me fitoren 1:0 të Southamptonit ndaj Manchester Cityt të shfaqur në BBC, duke thyer rekordin e Premier Leagues me një audiencë vendase prej 5.7 milionë shikuesve.