Sport

Besa në borxhe të mëdha, detyroi dy futbollistë të nënshkruajnë pa vullnetin e tyre

Besa e Pejës vazhdon të jetë në krizë të thellë financiare si asnjëherë më parë pasluftës.

Klubi pejan ende nuk ka kryer një pjesë të madhe të obligimeve ndaj lojtarëve dhe një gjë e tillë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Klubi u ka borxh rreth tri paga, shumicës së lojtarëve, disave edhe para nga kontrata si dhe një pjesë të premisë së Kupës, raporton KTV.

Në pamundësi për të shlyer borxhin në mënyrë të rregullt, zyrtarët e Besës, kanë filluar t’i shlyejnë obligimet ndaj disa lojtarëve në forma të ndryshme.

15 ditë para se t’u skadojë kontrata, Përparim Osmanin dhe Diar Miftarajn, i kanë detyruar të nënshkruajnë një dokument, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se lojtarët po largohen me kërkesë dhe se klubi nuk ka borxhe ndaj tyre.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Sportin në KTV, Përparim Osmani, i cili bashkë me Miftarajn, e kanë nënshkruar një dokument të tillë, vetëm e vetëm që të luajnë në Ligën e Evropës me Prishtinën.

Ai ka treguar se sa paga ia ka pasur borxh klubi dhe se cilët janë personat përgjegjës.

Atë që e ka bërë Osmani dhe Miftaraj, ka refuzuar ta nënshkruajë, Qemail Elshani, i cili ka kaluar te Feronikeli.

Elshani është duke u konsultuar me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe shumë shpejt pritet që ta padisë Besën.

Borxhi i Besës ndaj Elshanit, është rreth 8 mijë euro.

Por, nuk janë vetëm futbollistët në fjalë ndaj të cilëve ka obligim tri herë kampionia e Kosovës.

Borxhin e kanë konfirmuar për KTV-në, edhe Kastriot Rexha dhe portieri Arben Beqiri.

Kohavisioni ka provuar të flasë me nënkryetarin e Besës, që njëherësh është edhe nënkryetar i Komunës së Pejës, Shkumbin Gashi, por ai ka thënë se nuk është kompetent për obligimet ndaj lojtarëve, duke na orientuar te sekretari i klubit Egzon Marraj. Ky i fundit nuk është përgjigjur.

Njëjtë ka vepruar edhe Faruk Zeka, i cili ka qenë në çdo marrëveshje që është bërë me futbollistë së bashku me Gashin dhe sipas disa futbollistëve Gashi dhe Zeka, janë personat nga të cilët kërkojnë parat e tyre, pasi janë pikërisht ata me të cilët janë marrë vesh dhe i kanë nënshkruar kontrata.

Në anën tjetër, sekretari i Federatës së futbollit të Kosovës, Eroll Salihu thotë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet ndërmjet klubit dhe lojtarëve, mund ta dërgojnë në FIFA, ku penalizmi për Besën mund të jetë i madh.

Nënkryetari Shkumbin Gashi u kishte premtuar lojtarëve nga 4 mijë euro nëse e fitojnë Kupën e Kosovës. Madje, Kohavisoni e ka siguruar një fotografi ku shihet se si Gashi ia kishte shkruar shumën në një tabelë nëse triumfojnë ndaj Llapit, gjë që ndodhi. Por, deri me tani, vetëm nga 1700 euro i janë dhënë lojtarëve, kurse pjesa tjetër nuk dihet se kur do të paguhet.

Borxhi ndaj lojtarëve sipas informacioneve të Kohavisionit, kap shifrën e rreth 100 mijë eurove. Kastriot Rexha është lojtari ndaj të cilit ka më së shumti obligime Besa, saktësisht 15 mijë euro.

Problemet e shumta kanë ndikuar që shumica e lojtarëve të përbërjes së parë të largohen.