Klubi i futbollit Besa nga Peja që do të luajë në barazh për të kërkuar rikthimin në Superligë, vazhdon të mos i kryejë obligimet financiare ndaj ish – lojtarëve.
Sporti në KTV e ka siguruar marrëveshjen që klubi pejan e kishte bërë në Federatën e Futbollit të Kosovës me 8 lojtarë që kërkojnë pagat e tyre.
Për Besën kishte nënshkruar sekretari, Egzon Maraj, tetë futbollistë që janë ankuar, kurse në emër të komisionit disiplinor, kryetari Dukagjin Zefi.
Marrëveshja është nënshkruar dhe vulosur me 27 shkurt 2019, ku theksohej se Besa është e obliguar ta shlyej borxhin ndaj Enis Manxhollit, Mensur Durakut, Bashkim Shalës, Besnik Morinës, Rinor Berishës, Elvis Hysenajt, Lendirt Ramës dhe Fatmir Rexhës, më së largu deri me 15 maj, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Bordi i pejanëve ka bërë kërkesë në Komisionin Disiplinor që tu shtyhet afati i pagesës edhe për 10 ditë, gjë e cila është aprovuar nga anën e organit të FFK-së dhe pejanët do ta kenë edhe një rast të dytë që ta kryejnë pagesën e cila është rreth 10 mijë euro.
Borxhin e ka konfirmuar për KTV-në edhe sekretari i Besës, Egzon Maraj, i cili ka bërë të ditur se obligimet financiare do të kryhen, por jo pa përfunduar ndeshja e barazhit ndaj Gjilanit që do të zhvillohet me 30 maj.
Në rast se nuk shlyhet borxhi deri me 7 qershor, në bazë të nenit 65 të Rregullores Disiplinore, klubi mund të dënohet me të holla, nga 1000 deri në 10.000 euro ose me heqjen e 9 pikëve.
