Besa Famgas ka shënuar fitore ndaj Prishtinës me rezultat 33:29, në ndeshjen e parë të finales së plejofit në Superligën e hendbollistëve. Ndeshja e zhvilluar në “Karagaç” të Pejës ishte e hapur deri në sekondën e fundit.
Gjatë pjesës së dytë të dy skuadrat luftuan maksimalisht për të arritur fitoren, megjithatë, vendasit treguan më shumë lojë të mirë dhe në fund arkëtuan triumfin.
Nikola Prce e Yll Muqolli ishin më efikasët te Besa Famgas me nga 8 gola. 6 gola i shënoi Charalampos Mallios, 5 Egzon Gjuka e 4 gola i kishte Victor Alonso.
Te Prishtina me lojë të mirë u dallua Deniz Terziqi. Ai realizoi 9 gola, ndërsa kishte edhe shumë asistime, sidomos për pivotët. Lulzim Shabani realizoi 6 gola, 4 i kishte Petrit Prekazi kurse nga 3 gola i shënuan Rron Ramadani e Vlerson Zherka.
Me numër të konsiderueshëm të pritjeve u dalluan edhe portierët e dy skuadrave, Mursel Mehmeti e Armir Agushi.
Ndeshja e dytë luhet në Prishtinë, ndërsa skuadra nga kryeqyteti do të kërkojë fitoren për të siguruar edhe ndeshjen e tretë. Besës i duhet një fitore apo një barazim për ta siguruar titullin.
Besa i ka fituar të gjitha ndeshjet e stinorit të rregullt dhe në gjysmëfinale tejkaloi Vëllaznimin. Prishtina në stinorin e rregullt ishte e dyta, kurse në gjysmëfinale të plejofit e kaloi Trepçën.