Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berishës do t’i mungojnë shikuesit

Valon Berisha ka thënë se ndeshjet e Bundesligës pa shikues do të jenë të çuditshme.

Mesfushori i Kosovës është i huazuar te Fortuna Duesseldorfi nga Lazio. Skuadrat e Bundesligës ka kohë që kanë nisur stërvitjet, ndërsa synimi është që kampionati të vazhdojë në mes të majit. Por ndeshjet do të luhen pa shikues.

“Do të jetë çuditshëm, nuk kemi parë diçka të tillë më parë. Nëse vazhdojmë me ndeshjen në shtëpi ndaj Paderbornit, natyrisht që tifozët që vazhdimisht na shtyjnë në mënyrë fantastike, do të na mungojnë. Motivimi duhet të dal nga ne”, ka thënë Berisha për sajtin gjerman ”express.de”.

Ylli i Kosovës megjithatë nuk do të ketë telashe me motivim.

“Jam lojtar që gjithnjë dëshiron të fitojë. Kam plane të mëdha për ndeshjet e ardhshme. Dua të bëhem lojtar i rëndësishëm i Fortunas. Po ashtu dua të shënojë një apo dy gola”, ka thënë Berisha.

Për Berishën ndërprerja e kampionatit ka ardhur në kohë të keqe. Ai po kalonte formë të mirë kur u vendos që të pezullohet edicioni për shkak të koronavirusit. Sipas “express.de”, Fortuna për 4,9 milionë euro mund të transferojë Berishën nga Lazio.

“Po ndihem shumë komod këtu. Ekipi ka mentalitetin e duhur, potenciali është i madh. Bundesliga është atraktive”, ka thënë Berisha.

Artikuj të ngjashëm