Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha, Rexhbeçaj e Ramaj mbesin synim “i largët” i Kosovës

Mërgim Berisha ka shënuar gola në dy ndeshjet e fundit në Bundesligë. Gjithsej i ka pesë gola e katër asistime në këtë edicion të kampionatit gjerman.

Elvis Rexhbeçaj ka lëshuar vetëm një ndeshje këtë edicion. Ishte i pezulluar për shkak të kartonëve. Ka startuar në 17 të tjerat.

Sulmuesi Berisha e mesfushori Rexhbeçaj janë pjesë e skuadrës së Augsburgut. Kjo, megjithatë, nuk është e përbashkëta e vetme e tyre. Dyshja e klubit gjerman mbetet shumë e lakmuar nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Përpjekjet që ata të binden të luajnë për Kosovën nuk po ndalen. Deri më tani pa sukses.

Portieri Diant Ramaj është një tjetër anëtar i Bundesligës dhe një tjetër lojtar “në listën e dëshirave” të Kosovës. Ai e ruajti portën e Eintracht Frankfurtit më 25 janar dhe mori vlerësime në superlativ. Vlerësime në superlativ për Ramajn ka edhe te Kosova. Por deri tani 21-vjeçari nuk është bindur të luajë për “Dardanët”.

E ka edhe një të përbashkët të rëndësishme kjo treshe e Bundesligës. Berisha, Rexhbeçaj e Ramaj nuk kanë luajtur për përfaqësuese seniore. Dhe kështu e kanë të drejtën të zgjedhin Kosovën, apo Shqipërinë. Apo Gjermaninë, nëse i kërkon ajo.

Edhe Kosova pritet të forcohet me lojtar të Bundesligës Futboll Kosova pritet të forcohet me lojtar të Bundesligës

Derisa për Berishën ka pasur zëra se mund të ftohet nga Gjermania, Rexhbeçaj e Ramaj duken më larg saj. Dhe këtu Kosova mund ta shohë rastin.

“Sigurisht që këta tre lojtarë i njohim dhe jemi të interesuar për ta”, ka thënë të dielën për KOHËN selektori i Kosovës, Alain Giresse. “Tani ata e kanë mundësinë për të luajtur për Kosovën. Por ka edhe lojtarë të tjerë që i përcjellim dhe për të cilët jemi të interesuar. Disa janë edhe në listat e përfaqësueseve të vendeve ku luajnë, kryesisht te kategoritë e reja”, ka shtuar Giresse, pa qartësuar shumë.

Ai ka thënë se i përcjell në baza ditore të gjithë lojtarët e Kosovës, por edhe ata që një ditë mund të luajnë për Kosovën.

KOHA ka mësuar se përgjegjësit e FFK-së kanë përdorur mënyra të ndryshme për t’u afruar me Berishën, Rexhbeçajn e Ramajn. Dhe po presin që ata të vendosin për ndonjë hap. Për ndonjë takim me përgjegjësit e FFK-së, për shembull. Interesimi i Kosovës për këta lojtarë të Bundesligës është shumë serioz e shumë konkret. Por deri më tani pa përgjigje.

Berisha, Rexhbeçaj e Ramaj hezitojnë të flasin edhe për mediat kosovare. Kështu që për momentin afrimi i tyre te Kosova nuk duket shumë i afërt. Por niveli i tyre si futbollistë bën që përpjekjet e përgjegjësve të mos ndalen.

Edhe Mërgim Berisha konfirmon se ëndërron të luajë me Gjermaninë në Evropian Sport Mërgim Berisha konfirmon se ëndërron të luajë me Gjermaninë në Evropian

Kosova ka pak lojtarë në ligat e mëdha evropiane. Tre lojtarë të Bundesligës do të ishin të mirëseardhur, sidomos për faktin që janë të pozitave në të cilat Kosova nuk ka shumë konkurrencë aktualisht. Arijanet Muriq vlerësohet i pakonkurrencë për portë. Vedat Muriqi është thuajse sulmuesi i vetëm tipik i Kosovës në nivel të lartë ndërkombëtar. Ndërkohë në mesfushë Kosova ka disa vjet që ka telashe. Dhe ardhja e Berishës, Rexhbeçajt apo Ramajt do të ishte me shumë peshë për Kosovën. Këtë e dinë edhe Giresse dhe bashkëpunëtorët e tij.

Berisha, 24-vjeçar, është i lindur në Gjermani, është zhvilluar si lojtar në Austri dhe tani sërish po luan në Gjermani. Ka 13 paraqitje e një gol me U21 të Gjermanisë. Vlerësohet me potencial për të luajtur për Gjermaninë A, sidomos pas formës jo të kënaqshme që gjermanët shfaqën në Kupën e Botës.

Rexhbeçaj është 25-vjeçar, por nuk ka luajtur në asnjë përfaqësuese, as për grupmosha e as në A. Është i lindur në Kosovë e i rritur në Gjermani.

Ramaj është ende 21-vjeçar. Është, po ashtu, i lindur në Gjermani dhe ka luajtur për U18, U19 e U20 të Gjermanisë. Te Eintrachtu paraqitet pak, por vlerësohet për potencialin.

Edhe Rexhbeçaj – lojtari “pa” përfaqësuese që me 24 vjet bëhet kapiten në Bundesligë Sport Rexhbeçaj – lojtari “pa” përfaqësuese që me 24 vjet bëhet kapiten në Bundesligë

Kosova në mars i luan ndeshjet e ardhshme. Ciklin e kualifikimeve për Euro 2024 pritet ta fillojë pa këtë treshe të Bundesligës. Me shumë gjasa edhe do ta përfundojë pa këtë treshe në përbërje.