Sulmuesi Besart Berisha mund të vendosë edhe një rekord në futbollin australian pas atij për më së shumti gola të shënuar.
Mediumet australiane kanë shkruar të enjten se Berishës i nevojitet vetëm edhe një fitore për të regjistruar triumfin jubilar, të 100-të në A-League, transmeton Koha Ditore.
Këtë rekord Berisha mund ta vendosë në ndeshjen që ekipi i tij, Western United, e luan të premten (sot) në udhëtim kundër Brisbane Roar në kuadër të xhiros së nëntë.
“Golashënuesi i Western Unitedit, Besart Berisha, nuk e ka dëshmuar veten vetëm si golashënues i madh në A-League gjatë karrierës, por edhe si fitues serik. Ai në ndeshjen kundër ish-ekipit të tij, Brisbane Roar, mund ta regjistrojë fitoren e 100-të në kampionat”, ka shkruar sajti zyrtar i kampionatit të Australisë.
Berisha është rekordmen në elitën e Australisë me 116 gola të shënuar me ekipet Brisbane e Melburne Victory dhe tash Western Unitedin. Për ekipin e ri ka shënuar pesë gola. Ka katër tituj.