Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha drejt Hammarbyt

Sulmuesi Veton Berisha ka gjasa që karrierën ta vazhdojë në Suedi, te skuadra e Hammarbyt. Mediumet norvegjeze kanë raportuar të hënën se Hammarby ka bërë ofertë zyrtarer për Berishën, i cili është pjesë e Vikingut.

Edhe te Vikingu kanë konfirmuar ofertën për sulmuesin, por nuk e kanë bërë publik emrin e klubit që ka shprehur interesim për transferimin e tij.

Te Hammarby, po e shohin Berishën si zëvendësim ideal për Astrit Selmanin, i cili u transferua te Hapoel Beer Sheva.

“Kemi marrë një ofertë dhe së shpejti do të marrim një vendim. Jemi në negociata me klubin e interesuar dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Erik Nevland, drejtori sportiv i Vikingut.

Berisha është kapiten i Vikingut dhe ka kontratë me klubin deri në fund të vitit 2024. Këtë sezon, ai ka shënuar tetë gola dhe ka bërë pesë asistime në 12 ndeshje.