Prishtinë, 5 janar – Fatos Beqiraj mund të largohet brenda pak ditësh nga skuadra polake, Wisla Krakow. Mundësinë e largimit pas gjashtë muajsh të kaluar në kampionatin e Polonisë nuk e përjashton as vetë Beqiraj.
Sulmuesi 32-vjeçar të martën për KOHËN ka thënë se me Wislan është në përgatitje, ndërsa vendimin do ta marrë brenda pak ditësh, nëse do të largohet apo jo. Në një medium të Bosnjë-Hercegovinës, largimin e sulmuesit të përfaqësueses së Malit të Zi e shohin si punë të kryer.
“Ai e refuzoi Sarajevën këtë verë, kështu që u pendua rëndë. Aventura e sulmuesit të famshëm në Poloni përfundoi pa lavdi”, është titulli i shkrimit në “sport1.ba”.
“Në vend që të shkonte në Sarajevë, Beqiraj shkoi në Wisla Krakow dhe ishte një dështim në karrierën e tij, duke luajtur 11 ndeshje, gjithsej 300 minuta në radhët e Wislas. Ai nuk është regjistruar në listën e shënuesve dhe raportohet se Beqiraj ka shprehur vetë dëshirën për të gjetur një klub të ri, në të cilin do të kishte më shumë minuta”, shkruan tutje sajti boshnjak.
Futbollisti nga Peja te Wisla Krakow u transferua në gusht të vitit të kaluar nga skuadra e Izraelit, Maccabi Netanya. Ai karrierë ka bërë edhe te Mecheleni në Belgjikë, pastaj Dinamo të Moskës (Rusi), Dinamo Minsk (Bjellorusi), Changchung Yatai (Kinë), Dinamo Zagreb (Kroaci), Buduçnost të Podgoricës (Mali i Zi) dhe në Kosovë te Besa e Pejës dhe Shqiponja.
Në fakt, Beqiraj herët është larguar nga futbolli kosovar, por një kthim i tij është i mundshëm. Kthimi nuk është mohuar as nga vetë Beqiraj. Por, ai shton se jo për një periudhë të afërt. Thotë se të ardhmes nuk i dihet.
“Jam në përgatitje me klubin e Wisla Krakow dhe nuk e di se a do të qëndroj apo do të lëvizi. Për momentin jam i koncentruar këtu, kam kontratë edhe një vit e gjysmë, porse çka do të bëhet këto ditë nuk e di. Nuk besoj se do të kthehem edhe për një kohë të luaj diku në Ballkan, por nuk i dihet se çka të sjellë e nesërmja”, ka thënë Beqiraj për KOHËN.
Beqiraj mban rekordin për numrin e paraqitjeve për ekipin përfaqësues të Malit të Zi, plot 75. Ai ka shënuar dhjetë gola që nga viti 2009. Ftohet rregullisht dhe është i rregullt në ndeshje.
“Kam çka të jap ende në nivel të lartë si për klub ashtu edhe për përfaqësuesen e Malit të Zi. Për një periudhë të shpejtë nuk e mendoj kthimin në Ballkan, por nuk i dihet”, është shprehur Beqiraj.