Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benzema, lojtari më i mirë i sezonit në Champions

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit 2021/22 në Ligën e Kampionëve, ka njoftuar UEFA të martën. Ishte paneli teknik i UEFA-s, ai që vendosi për Benzeman, pasi sulmuesi pati një sezon fantastik.

Në fakt, Benzema ishte më i merituari që Reali e fitojë trofeun e 14-të evropian, duke realizuar 15 gola në Champions. Po ashtu, edhe goli i Benzemas me kokë në çerekfinale kundër Chelseat në ndeshjen e parë u zgjodh si goli më i mirë i sezonit në këtë garë.

Ndërsa, braziliani Vinicius Junior e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të ri. Ai sezonin e përfundoi me katër gola, përfshirë atë që e shënoi në finalen kundër Liverpoolit, si dhe gjashtë asistime.

Si Benzema ashtu edhe Vinicus kanë gjetur vend në ekipin e sezonit të UEFA-s, pjesë e të cilit ishin edhe: Thibaut Courtois, Trent Alexander-Arnold, Antonio Ruediger, Virgil van Dijk, Andy Robertson, Kevin De Bruyne, Fabinho, Luka Modriq e Kylian Mbappe.