Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benitez i bindur se kthimi i Calvert-Lewinit dhe përforcimet e janarit do ta ringjallin Evertonin

Liverpool, 3 janar – Trajneri i Evertonit, Rafael Benitez, është më se i bindur se kthimi i sulmuesit Dominic Calvert-Lewin dhe transferimet e janarit do ta ringjallin ekipin e tij. Evertoni synon ta mbyllë edicionin në pjesën e epërme të tabelës në Premier League.

Sulmuesi anglez u kthye pas më shumë se katër muajve në fushë. Ai mungoi shkaku i lëndimit. Luajti në duelin e fundit ndaj Brightonit, por nuk arriti ta ndihmojë Evertonin. Calvert-Lewin e humbi një penallti, ndërsa skuadra e tij pësoi humbje me rezultatin e ngushtë, 3:2.

Para ndeshjes me Brightonin, që u luajt të dielën në stadiumin “Goodison Park”, Evertoni e prezantoi mbrojtësin e krahut të majtë, Vitaliy Mykolenkon, për të cilin pagoi 20 milionë euro për ta transferuar nga Dynamo Kievi.

Ky nuk do të jetë përforcimi i vetëm i Benitezit, i cili synon që gjatë këtij muaji të bëjë të paktën edhe tri përforcime. Evertoni së shpejti do ta zyrtarizojë mbrojtësin e djathtë të Glasgow Rangersit, Nathan Patterson, teksa Benitez kërkon të forcojë mbrojtjen e skuadrës që zë vendin e 15-të në Premier League. Në ndeshjen me Brightonin vetëm për herë të tetë këtë edicion Evertoni ka shënuar më shumë se një gol. 24-vjeçari Calvert-Lewin shënoi tre gola në tri ndeshjet e para, përpara se të lëndohej. Ai deri më tani ka vetëm katër paraqitje, por Benitezi beson shumë te sulmuesi i Anglisë. Calvert-Lewin i ka munguar Evertonit në 16 ndeshje kampionale.

“Shpresojmë se kthimi i Dominicut do t'u japë pak më shumë shpresë të gjithëve”, insistoi Benitez, që është nën presion të madh. “Me kthimin e tij dhe transferimin e lojtarëve të rinj jam më se i bindur se Evertoni do të ringjallet dhe do t’u kthehemi rezultateve pozitive. Personalisht jam optimist i madh dhe kam besim se deri në fund të edicionit do të jemi në një pozitë të kënaqshme në tabelë. Me Dominicun do të jemi shumë më të fortë pasi mungesa e tij është ndier shumë”.

Benitez ka insistuar se ka parë gjëra pozitive tek Evertoni pavarësisht humbjes nga Brightoni.

Edhe Calvert-Lewin largohet si futbollist i lirë Futboll Calvert-Lewin largohet si futbollist i lirë

Ndërkohë Mykolenko pritet të debutojë në ndeshjen e ardhshme, atë që Evertoni e luan në shtëpi kundër Leicester Cityt.

Benitez nuk po pëlqehet fare nga tifozët e Evertonit, të cilët pothuajse në çdo ndeshje po e kërkojnë shkarkimin e tij. Të gjithë kishin pritje të mëdha për trajnerin spanjoll kur e mori drejtimin e Evertonit para fillimit të këtij edicioni. Ai ka kontratë me Evertonin deri në verën e vitit 2024.

“Natyrisht që as unë nuk jam i kënaqur me rezultatet deri më tani, por të gjithë duhet të tregohemi të durueshëm. Ne para fillimit të sezonit nuk kemi bërë transferime të mëdha, jemi bazuar në huazime dhe tani po synojmë të bëjmë diçka më shumë për të mos i zhgënjyer tifozët”, ka thënë Benitez. “Ne po përpiqemi dhe tifozët këtë duhet ta shohin dhe ta kuptojnë. Sigurisht që është dashur të fitojmë më shumë ndeshje, por nuk kishim fat edhe me lëndimet. Megjithatë, unë jam optimist i madh se do të kemi një pjesë të dytë të mirë dhe do të mundohemi ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.