Media të fuqishme në Spanjë, por edhe në vendet e rajonit kanë raportuar të martën për komunikatën e Federatës së Futbollit të Spanjës lidhur me publikimin e listës së Spanjës për ndeshjet e marsit. Njërën prej ndeshjeve të këtij muaji Spanja e luan ndaj Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Dhe Federata e Spanjës nuk i është referuar Kosovës në mënyrë të drejtë. Në vend se ta shkruajë Kosova, ashtu si për Greqinë e Gjeorgjinë, Federata spanjolle ka shkruar se ndeshja e tretë është ndaj “territorit të Kosovës”. Pra Kosovës nuk i është referuar me emrin zyrtar dhe me atë që është e pranuar në UEFA e FIFA, asociacionet ndërkombëtare të futbollit.
Nuk ka vonuar reagimi i FFK-së, që po ashtu është përcjellë nga mediat më të fuqishme në Spanjë dhe media në vende të ndryshme. “Marca” e “AS”, dy prej mediave më të fuqishme sportive në Spanjë, kanë shkruar për kërcënimin e FFK-së që të mos luajë ndeshjen në rast se nuk ofrohet trajtim i barabartë për Kosovën si për përfaqësueset e tjera.
Është pritur të ketë zhvillime politike lidhur me ndeshjen e 31 marsit në Sevilla, prej kur është hedhur shorti për kualifikimet e Botërorit 2022. Spanja nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe në të kaluarën në disa raste ka paraqitur pengesa për prezantim të barabartë të sportistëve kosovarë në ngjarjet e mbajtura në atë vend. Por po ashtu ka pasur raste kur prezantimi i barabartë ishte garantuar.
Ka pasur raportime për mundësinë që ndeshja të luhej në terren neutral, por Federata spanjolle vendosi për Sevillan. Megjithatë disa kërkesa të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës pritet të jenë shumë problematike. Në FFK kanë garantuar se ato assesi nuk do të pranohen.
Zhvillime të tjera priten ditëve të ardhshme, deri në datën e ndeshjes. Në FFK janë të vendosur të mos lëshojnë pe.
“Spanja nis rrugën për në Katari 2022 ndaj Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Spanjës. “Spanja do të mbyllë ndeshjet e këtij muaji më 31 mars në stadiumin La Cartuja në Seville përballë territorit të Kosovës”.
Dukshëm më tepër informata për situatën e krijuar ka dhënë gazeta e madhe spanjolle, “Marca”.
“Spanja do ta presë Kosovën, por trajtimi nuk do të jetë si i një kombëtareje”, ka shkruar Marca në titull.
“Territori apo ekipi i Kosovës do të diskutohet. Himni nuk do të paraqitet si i tillë dhe mund të ndikojë në transmetimin nga TVE”, vazhdon gazeta e madhe.
Federata spanjolle ka punuar gjatë me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të organizuar ndeshjen Spanjë – Kosovë. Në federatë janë munduar ta bëjnë sa më të zakonshme ndeshjen, marrë për bazë që Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë hapa të rëndësishëm që ekipi kosovar t’i qaset Spanjës dhe të luajë në Spanjë. Por protokolli do të jetë më i veçanti ndonjëherë në ndeshjet e organizuara nga Spanja. Nuk mund të ketë referim si shtet i Kosovës në qasjen e Federatës apo në ndeshje. Kështu që gjithnjë do të jetë ekipi i territorit të Kosovës. E njëjta gjë ndodh me flamur, që nuk mund të shfaqet afër atij të Spanjës si i një vendi të pavarur. Apo himni, formula e të cilit nuk mund të prezantohet në formë klasike si ‘himni nacional i...’. Do të prezantohet si muzikë e ofruar nga territori i Kosovës”, ka shkruar “Marca”, duke paralajmëruar qasje plotësisht të pabarabartë për Kosovën.
Qasja spanjolle është vlerësuar e papranuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, që ka reaguar përmes një komunikate.
FFK-ja e ka vlerësuar provokim të Federatës spanjolle njoftimin e publikuar lidhur me shpalljen e listës. “Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit ‘Katar 2022’, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër. Kriteret e UEFA-së e FIFA-s janë të ditura e të qarta si kristali dhe Spanja e di këtë, prandaj çfarëdo që të thuhet e të shkruhet nuk i ndërron këto rregulla dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërrohen. Nëse ata duan medialisht të arsyetohen para opinionit të brendshëm është çështje e tyre, por Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet. Gjithsesi, për ne është e papranueshme kjo formë qasjeje e spanjollëve dhe menjëherë jemi vënë në kontakt me Federatën spanjolle, ku tani jemi në pritje të një reagimi të tyre të shpejtë. Nëse ata nuk do të reagojnë në këtë drejtim, atëherë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë të drejtën tonë në UEFA, ku do të kërkojmë mbrojtje nga ky institucion, sepse jemi vend anëtar i UEFA-s me të drejta të barabarta sikurse 54 federatat e tjera dhe Spanja është e obliguar të na trajtojë në atë formë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Në FFK presin reagimin e UEFA-s. Vetëm reagimi i fuqishëm i UEFA-s do të bëjë që Qeveria spanjolle të heqë dorë nga qëndrimi diskriminues ndaj Kosovës.
“Kosova bën thirrje që termi ‘territor’ të largohet dhe kërcënon që të mos luajë”, ka shkruar “Marca” të martën mbrëma.
“Kosova qëndron dhe kërcënon të mos luajë kundër Spanjës”, ka shkruar AS.
Në frymë të njëjtë kanë shkruar edhe media të tjera spanjolle. Ndërkohë në mediat e regjionit u është kushtuar rëndësi qëndrimit të Spanjës dhe përgjigjes së FFK-së.