Sport

Bellingham mbetet te Dortmundi

Jude Bellingham

Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, nuk do të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë kësaj vere.

Kreu i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, e ka konfirmuar Bellinghamin në ekip edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht ofertave të shumta nga skuadrat e tjera për transferimin e tij.

Në një intervistë për CNN të mërkurën, Watzke ka thënë se do t’i refuzojë të gjitha ofertat për 18-vjeçarin, i cili po shkëlqen këtë sezon te Dortmundi.

“Ne do të luftojmë për ta mbajtur Bellinghamin me çdo kusht, pasi do të refuzojmë të gjitha ofertat. Mund të them se ai do të jetë pjesë e jona edhe sezonin tjetër”, është shprehur Watzke.

Bellingham iu bashkua Dortmundit në vitin 2020 dhe ka kontratë deri në vitin 2025. Ai ka gjashtë gola e 13 asistime në 43 ndeshje këtë sezon.

Skuadrat që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, janë Liverpooli e Manchester Unitedi.