Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Grupi F: Belgjika kërkon lavdinë në Kupën e Botës

Tani 31-vjeçar dhe duke shkuar për herë të tretë në Kupë të Botës, Kevin de Bruyne është një nga lojtarët e mëdhenj karriera e të cilit nuk ka vlerësim të vërtetë në nivel përfaqësuesesh.

Organizatori belg është shumë i dashur në Manchester City nga bashkëlojtarët dhe trajneri Pep Guardiola. De Bruyne admirohet nga kundërshtarët në Angli që e kanë votuar atë si futbollistin më të mirë të vitit në dy prej tri edicioneve të fundit.

Mentalitet i duhur. Pasime vizionare. Gjuajtje vrastare, kur ai zgjedh të gjuajë.

Megjithatë, De Bruyne nuk ka titull në Ligën e Kampionëve dhe asnjëherë nuk kishte hyrë në treshen më të mirë për “Topin e Artë” apo për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA, deri në këtë vit. Ai zuri vendin e tretë me vota për “Topin e Artë” të cilin e fitoi Karim Benzema, pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve.

Vlerësimi më i mirë për De Bruynen mund të jetë ai i Guardiolës që e quajti mesfushorin më të mirë në botë në vitin 2020.

Edhe Lukaku përfshihet në ekipin e Belgjikës për Kupën e Botës Futboll 2 muaj më parë Lukaku përfshihet në ekipin e Belgjikës për Kupën e Botës

Kupa e Botës në Katar duket shansi i fundit i De Bruynes për ta ndihmuar Belgjikën të fitojë një turne madhor për herë të parë.

Në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës belgët u ndalën me humbje 1:0 – në çerekfinale në vitin 2014 nga Argjentina dhe në gjysmëfinale në vitin 2018 nga Franca. Ka pasur eliminime nga çerekfinalet në kampionate evropiane, po ashtu, pas humbjeve nga Uellsi në vitin 2016 dhe nga kampionia Italia në “Euro 2020”.

Mes gjithë këtyre zhgënjimeve me të kuqtë e Belgjikës, De Bruyne gjithmonë dukej madhështor në qiellin e kaltër të Cityt. Ai ishte zemra e katër titujve të fituar në Premier League që nga arritja e tij në vitin 2015.

Thirrja e fundit

Belgjika është duke u përgatitur që me “gjeneratën e artë” ta fitojë një titull të madh, tash e afro një dekadë. Është një nga pyetjet më të shpeshta në kohën moderne të Kupës së Botës, si për Brazilin se a do ta fitojë titullin e gjashtë, apo për Meksikën nëse do të arrijë një “ndeshje të pestë” për të shkuar në çerekfinale.

Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, mund të krijojë një formacion me gjashtë lojtarë të cilët tashmë kanë më shumë se 100 paraqitje për “djajtë e kuq”. Mbrojtësit qendrorë Jan Vertonghen dhe Toby Alderweireld së bashku kanë 264 ndeshje.

Këto shifra nuk përfshijnë De Bruynen dhe Thibaut Courtoisin 30-vjeçar, por që të dy mund ta arrijnë këtë shifër nëse në Katar çdo gjë shkon mirë.

Çelësi Lukaku

Shumëçka varet edhe nga forma e Romelu Lukakut, i cili nuk luajti gjatë për Interin për shkak të një lëndimi të muskulit në kofshë.

Edhe Disa prej rekordeve të Kupës së Botës Botërori 2026 4 d. më parë Disa prej rekordeve të Kupës së Botës

Ende në moshën 29-vjeçare, Lukaku ka shënuar 68 gola në 102 ndeshje për Belgjikën, ndërsa transferimet e tij përgjatë karrierës kapin shifrën e 325 milionë dollarëve.

Megjithatë, ka prej atyre që dyshojnë në të për shkak të dy periudhave të kaluara në Chelsea dhe në sezonin e fundit te Manchester Unitedi, ku nuk e bindi trajnerin Ole Gunnar Solskjaer.

Belgjika ka qenë skuadër më e mirë me Lukakun në fushë – mbahen mend lëvizjet e tij në fitoren e arritur në pjesën e dytë ndaj Japonisë në vitin 2018. Megjithatë, Lukaku mbetet në dyshim për shkak të lëndimit të ri. Edhe nëse luan, nuk dihet cila do të jetë forma fizike e tij.

Përzgjedhësi

Martinez e udhëhoqi Belgjikën drejt turneut të tretë të madh pas më shumë se gjashtë vjetësh në krye, me kontratën e cila është duke skaduar.

Spanjolli 49-vjeçar ka punuar në futbollin britanik për më shumë se 20 vjet para se të shkarkohej nga Evertoni pak kohë para “Euro 2016”.

Pasi dështoi të fitonte në “Euro 2020” vitin e shkuar, Martinez është lidhur për një kalim te Barcelona apo edhe një rikthim tek Evertoni.

Orari i Kupës së Botës

Belgjika do të nisë më vonë ndeshjet në Grupin F të Kupës së Botës, më 23 nëntor, në ditën e katërt të turneut 29-ditor. Kjo lë më shumë hapësirë për pushim pasi miqësoren ndaj Egjiptit e zhvillon më 18 nëntor.

Edhe Tielemans plotësoi kriteret për t’u bërë kapiten Botërori 2026 2 j. më parë Tielemans plotësoi kriteret për t’u bërë kapiten

Belgjika luan kundër Kanadasë fillimisht. Më pas ballafaqohet me Marokun më 27 nëntor dhe me Kroacinë më 1 dhjetor.

Belgjika do të përgatitet për këto ndeshje shumë larg nga Doha, duke bërë kamp stërvitor në bregun perëndimor të gadishullit, në resortin e plazhit Hilton Salwa, afër kufirit me Arabinë Saudite.