Leotrim Bekteshi nuk e ka me shumë qejf të flas për të kaluarën. Edhe ashtu është fjalëpakë. Por, Bekteshi është bërë lider te Prishtina në qendër të mbrojtjes. Ai bashkë me Lumbardh Dellovën krijuan stabilitet te Prishtina, që doli kampione e sezonit të kaluar pas një kohe të gjatë. Dellova është kthyer te klubi i tij, Hajduku i Splitit, ndërsa Bekteshi vazhdon të bëjë paraqitje të mira te Prishtina. Ai shënoi të martën gol në fitoren e thellë 4:1 të Prishtinës ndaj kampionit të Uellsit, Connah’s, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Me fitoren e arritur, “bardhekaltërit” kanë bërë një hap të madh drejt kalimit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë evropian.
Bekteshi është i kënaqur me golin e shënuar. Ai realizoi me kokë në minutën e 41-të për rezultatin 1:0, ndërsa Prishtina shënoi edhe tre gola të tjerë për ta fituar takimin. Fitorja për Bekteshin është goxha e rëndësishme.
“Shënova golin e parë që zhbllokoi rezultatin, ndërsa fitorja e thellë e arritur është e mirëseardhur, sepse do ta kemi më të lehtë në lojën kthyese. Kemi hyrë në ndeshje për ta fituar. Nuk kemi menduar se me çfarë rezultati, por ne ia dolëm t’i shfrytëzojmë rastet që na u dhanë në ndeshje dhe besoj se kemi kryer punën tonë me sukses. Por, kemi edhe 90 minuta të tjerë”, ka thënë Bekteshi të mërkurën për KOHËN. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Uells. “Nuk duhet të jemi të relaksuar, edhe pse kemi një rezultat të favorshëm”, është shprehur Bekteshi 29-vjeçar.
Në rast të kalimit tutje – padyshim që me fitoren e parë ka bërë hap të madh – Prishtina do të takohet me fituesin e ndeshjes Valur – Bodo-Glimt. Valuri është klub nga Islanda, kurse Bodo Gilmt i Norvegjisë. Bekteshi beson se Prishtina do të shkojë larg në garat evropiane.
“Besojmë që do të shkojmë larg me këtë formë momentale. Besojmë shumë. E dimë për kundërshtarët e mundshëm. Janë dy ekipe më të forta se ky i Uellsit, por besojmë që do të kemi rezultat pozitiv edhe ndaj njërës prej këtyre dy ekipeve”, ka thënë ai.
Bekteshi lindi në Karlsruhe të Gjermanisë, ndërsa me rrënjë është nga Mitrovica. Në Kosovë është kthyer në vitin 2000. Por, ai insiston të mos flasë për të kaluarën. Thotë se do të flasë një ditë kur ai do të largohet nga Kosova në drejtim të Norvegjisë, për t’u bashkuar me gruan dhe djalin e tij.
Por, Bekteshi është i gatshëm ta japë maksimumin përderisa është pjesë e Prishtinës. Është i kënaqur me formën që po kalon.
“Jo vetëm unë, por e gjithë skuadra është në formë të mirë. Kemi punuar shumë gjatë fazës përgatitore dhe besoj që ky është suksesi – që unë dhe ekipi im po kalojmë një formë të mirë. Me Dellovën kemi qenë dyshe shumë e mirë, por tash ai ka shkuar dhe i dëshirojmë shumë suksese.
Bekteshi, para se t’i bashkohej Prishtinës, është zhvilluar si lojtar te Trepça ’89. Ka luajtur edhe për Besën dhe Gjilanin. Ka luajtur edhe tek Iskra Borcice e Sllovakisë.
“Jam rritur si lojtar i Trepçës ’89 dhe u jam shumë falënderues klubit dhe trajnerëve. Edhe te klubet e tjera kam kaluar shumë mirë, por te Prishtina është një ndjenjë tjetër, sepse je në klubin më të madh në Kosovë. Është tjetër presion këtu dhe është një ndjenjë tjetër te Prishtina. Ndihem shumë mirë”, ka theksuar Bekteshi. Ai thotë se nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë ofertë konkrete për të zhvilluar karrierë jashtë Kosovës. Megjithatë, ai është i kënaqur me të arriturat e tij.
“Gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja, por prapë jam i lumtur që jam ky që jam sot”, ka thënë Bekteshi.