Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Beka humb stinorin, pritej ta udhëhiqte mbrojtjen e Kosovës

Ajo për të cilën dyshohej, u konfirmua të hënën. Mbrojtësi i qendrës Ismajl Beka ka pësuar lëndim të gjurit dhe nuk do të luajë në edicionin 2023/2024. Beka, 23-vjeçar, do të operohet ditëve të ardhshme dhe faza e rikuperimit do të jetë e gjatë, shumë muaj. Këtë e ka bërë të ditur të hënën klubi i reprezentuesit të Kosovës, Luzerni.

Beka u lëndua të dielën në ndeshjen ndaj Lausanne-Sport. Pas një dueli me një lojtar rival, Beka mbeti i shtrirë në fushë. Iu ofrua ndihma mjekësore për disa minuta e më pas u largua me barelë nga fusha. Luzerni ka njoftuar se shtatlarti pritet të qëndrojë jashtë fushës së blertë deri në fund të këtij kampionati.

“Goditje e rëndë për Luzernin dhe Ismajl Bekën. Pas ekzaminimeve, Ismajl Beka u diagnostikua me këputje të ligamentit kryqëzor të përparmë në gjurin e majtë. Ai do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim. Kosovari 23-vjeçar do të mungojë për disa muaj dhe me gjasë nuk do të jetë më në dispozicion të trajnerit Mario Frick në këtë sezon”, ka njoftuar Luzerni.

Beka ishte në momentin më të mirë në karrierën e deritashme. Startoi në të gjitha dhjetë ndeshjet e Luzernit në Superligë. Vetëm në një ndeshje u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa tetë takimet e tjera i kompletoi.

Lëndimi i erdhi Bekës në momentin kur me shumë mundësi do të udhëhiqte mbrojtjen e Kosovës. Gjasat ishin të mëdha që nëse nuk do të lëndohej, Beka të ishte startues te Kosova të enjten ndaj Andorrës. Lideri i mbrojtjes së Kosovës dhe kapiteni Amir Rrahmani nuk është grumbulluar për shkak të një lëndimi të pësuar. Mbrojtësit e tjerë të qendrës si Fidan Aliti e Kreshnik Hajrizi ishin vetëm zëvendësues në fundjavë në skuadrat e tyre. Betim Fazliji ka kohë që luan mesfushor defanziv, kështu që Beka do të ishte zgjedhje e natyrshme për qendër të mbrojtjes.

Tani në konkurrencë janë Aliti, Hajrizi, Lumbardh Dellova e ndoshta edhe Ilir Krasniqi. Fazliji është tjetër opsion për mbrojtës qendre.

Edhe Beka lëndohet sërish, duhet të pauzojë edhe dy muaj Futboll Beka lëndohet sërish, duhet të pauzojë edhe dy muaj

Ismajl Beka te Kosova A debutoi më 12 shtator në ndeshjen ndaj Rumanisë. U aktivizua pak minuta në fund. Ndaj Zvicrës ishte vetëm në stol.

Mbrojtësi i gjatë 197 centimetra i ka pesë paraqitje me Kosovën U19. Karriera e tij tashmë do të stopohet për disa muaj, me shpresë që rikuperimin do ta ketë të suksesshëm dhe do të kthehet në rrugën në të cilën ishte para lëndimit të rëndë.