Mesfushori kosovar Valon Behrami në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka thënë se e urren sa herë që hapet tema e festës me shqiponjë dykrerëshe nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri në fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin 2018 në Rusi. Festës i ishte bashkuar edhe kapiteni i atëhershëm i Zvicrës, Stephen Lichtsteiner.
Ai festim kishte bërë bujë nëpër Zvicër. Behrami ka thënë se ishte kritikuar në Kosovë se nuk kishte festuar në atë mënyrë. Zvicra do të luajë me Serbinë edhe në fazën grupore të Botërorit 2022 në Katar. Behrami ka bërë thirrje që në ndeshjen në Katar të jetë përqendrimi vetëm në futboll.
“Atë temë e urrej edhe sot. Është futboll, nuk është politik. Ai gjest nuk kishte asgjë të bënte në fushë futbolli, ishte nonsens. Nuk po luanim në një luftë. Në Kosovë më akuzuan pse nuk e bëra atë gjest. Lojtarët serbë janë shokët e mi, ata u lindën pas luftës. Për këtë arsye në këtë Botëror duhet të luajnë thjeshtë futboll dhe çdo gjë tjetër të lënë anash”, ka thënë Behrami.
Behrami ka treguar edhe për problemet që kishte në taborin e Zvicrës gjatë Botërorit në Rusi dhe se gati ishte konfrontuar fizikisht me sekretarin e atëhershëm të Federatës së Futbollit të Zvicrës, Alex Miescher.
Behrami ka treguar se ngjarja kishte ndodhur pas barazimit 1:1 me Brazilin në fazën grupore. Në hotel Miescher i kishte thënë Behramit se familja e tij nuk tregoi edukatë.
Edhe
Festa me shqiponjë e trajnerit dhe kapitenit të Baselit në Rusi
“Ishte Lara me prindërit e mi. Ne hëngrëm së bashku. Ai më akuzoi, se nuk treguan respekt, nuk e përshëndetën. Më pas erdhi gati te përleshja. Të akuzosh familjen time për mungesë respekti më goditi shumë. Ata u sollën si gjithë tjerët”, ka thënë Behrami.
Behrami ka treguar se shkaku i Miescherit shumë lojtarë që vinin nga familje refugjatësh menduan të tërhiqeshin nga përfaqësuesja. Miescher në një intervistë kishte thënë se duhet menduar të mos ftohen më lojtarët me shtetësi të dyfishtë.
Behrami ka treguar se ishte përfshirë dhe kishte biseduar për këtë çështje.
“Shtetasit e dyfishtë nuk donin të luanin më për Zvicrën. Për Shaqirin nuk e di saktësisht, por të tjerët e di. U përfshiva për kolegët e mi, e telefonova Miescherin dhe ia ceka problemin. Por, nuk ndihmoi asgjë dhe Federata nuk bëri gjë. Me këtë unë bëra më tepër armiq”, ka thënë Behrami.
Behrami ishte larguar nga Përfaqësuesja e Zvicrës pas Botërorit 2018 në Rusi. Ai ende ka hatërmbetje me ish-seleksionuesin e Zvicrës, Vladimir Petkoviq, për mënyrën se si ia kumtoi se nuk llogaritë më në të.
Petkoviq pas Botërorit i kishte thënë në një bisedë telefonike Behramit se për Ligën e Kombeve dëshiron të aktivizojë lojtarë të rinj.
“Ishte qind për qind përjashtim nga përfaqësuesja dhe asgjë tjetër. Ai nuk donte ta ftonte as Stephen Lichsteinerin, kjo është e sigurt. Por, pasi u bë e madhe çështja me mua dhe Steph rezistoi shumë, ai nuk e bëri këtë. Më nuk kam pasur kontakt me Petkoviqin. Dua të kem në jetën time vetëm njerëz që më bëjnë mirë. Unë i besova dhe ai më tradhtoi. Kjo më dhemb shumë. Nuk kam nevojë më për të. Nëse do të më thoshte në fytyrë se më nuk llogaritë në mua atëherë do të jepja me kënaqësi dorëheqje. Normale në fillim do të isha i zhgënjyer, por do ta admiroja pas një kohe pasi më foli hapur. Ai kishte frikë nga reagimi im dhe ndoshta me të drejtë. Nuk mund t’i thuash një lojtari si unë një vendim të tillë në një telefonatë 30 sekondëshe”, ka thënë Behrami.
Behrami 37-vjeçar i ka dhënë fund karrierës në futboll këtë verë. Ai së fundi ishte pjesë e Brescias.
Edhe
Shaqiri flet për provokimet e serbëve dhe festën me shqiponjë
Përfundimin e karrierës së Behramit e bëri të ditur në Instagram një bashkëlojtar i tij te Brescia.
“Ai donte të bënte diçka mirë dhe bëri diçka të gabuar. Nuk do ta kisha komunikuar fare vendimin. Unë thjeshtë ndalova me futboll. Lara dhe unë kemi fshirë gjitha kanalet në rrjetet sociale pesë vjet më parë. Ishte vendimi më i mirë i jetës sime, ka shumë më pak stres. Unë qeshi me futbollistët që gjithë jetën e tyre e postojnë në Instagram dhe më pas ankohen se po sulmohen dhe po i cenohet privatësia. Fshije profilin dhe je në paqe”, ka thënë Behrami.