Mesfushori Valon Behrami ende nuk është në gjendje të stërvitet me ekipin e Genoas dhe duhet të vazhdojë izolimin. Mediumet italiane kanë raportuar të martën se Behrami sërish ka dalë pozitiv në testimin për koronavirus dhe ende nuk mund të kthehet në fushë.
Është mësuar se krahas Behramit, pozitivë në testet e fundit kanë dalë edhe 13 lojtarë tjerë derisa tre të tjerë kanë pranuar rezultat negativ: Federico Marchetti, Mattia Perin dhe Ivan Radovanoviq. Rezultatet e fundit të testimit, do të bëjnë që Genoa mos të jetë në gjendje ta luajë edhe ndeshjen ndaj Veronas, që është dashur të zhvillohet të hënën.
“Valon Behrami ka rezultuar sërish pozitiv me koronavirus. Në testet e fundit, prej 17 lojtarëve vetëm tre kanë dalë negativë”, kanë shkruar mediumet italiane. Në fakt Behrami ishte njëri prej 17 futbollistëve të Genoas që rezultuan pozitivë pas testeve të kryera në fund të muajit të shkuar. Behrami 35-vjeçar, ka dy paraqitje në kampionatin italian me fanellën e Genoas këtë edicion. Genoa ka tubuar tri pikë.