Sport

Beçiragiq me plane të mëdha tek Ylli dhe te Bosnjë-Hercegovina

Të premten u njoftua se kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, do të luajë në Ligën e Kampionëve. Po të premten, trajneri i Yllit, Adis Beçiragiq, u zgjodh në postin e përzgjedhësit të Bosnjë-Hercegovinës, vendit të tij. Beçiragiq ka udhëhequr Yllin drejt dy titujve të kampionit, ndërsa do të vazhdojë të drejtojë skuadrën nga Suhareka. Pra ai në të njëjtën kohë do të drejtojë Golden Eagle Yllin dhe përfaqësuesen boshnjake. Në basketboll ka shumë trajnerë që veprojnë në këtë mënyrë, drejtojnë skuadër dhe përfaqësuese në të njëjtën kohë.

Beçiragiq te Bosnja e zëvendëson Vedran Bosniqin. Bosniq, ish-lojtar i suksesshëm i Bashkimit dhe Pejës, dha dorëheqje nga posti i selektorit. Ai pati mosmarrëveshje me drejtuesit e Federatës boshnjake, ndërsa shkroi se i janë përzier në përzgjedhjen e lojtarëve. Bosniq vlerësohet shumë lart për punën e bërë te Bosnja. Tani i takon Beçiragiqit që të vazhdoi rritjen e kësaj përfaqësuese.

“Para së gjithash, më duhet të them që më vjen keq për ngjarjet e fundit lidhur me dorëheqjen e Vedran Bosniqit. E kam thirrur para disa ditësh dhe e kam lutur që edhe njëherë të shqyrtojë vendimin. Vërtet kam besuar me gjithë zemër që në fund do të qëndroj. Vërtet më vjen keq, pasi ai duhej të përfundonte punën që aq mirë e ka bërë. Në takim me anëtarët e Këshillit Drejtues të Federatës, kam pranuar të marr funksionin e selektorit, duke marrë për bazë momentin jo të mirë në të cilin po ndodhë kjo. I di të gjitha, do të jetë vështirë, por çfarë zgjidhje kisha? T’i them jo reprezentacionit të vendit tim dhe ta shtyj në probleme më të mëdha”, ka thënë Beçiragiq për sajtin zyrtar të Federatës boshnjake.

Ai është nga Sarajeva, ndërsa i takon një gjeneratë të suksesshme të përfaqësueses boshnjake të viteve të 90-a. Karrierën e nisi te klubi Bosna, ndërsa kulmin e arriti tek Ulkeri turk. Ishte kampion i Turqisë e po ashtu luajti në Euroligë. Si trajner ka drejtuar Darussafakan, Gaziantepin, Konyasporin dhe disa skuadra të tjera turke. Ishte dorë e djathtë e Bogdan Tanjeviqit, selektorit shumëvjeçar të Turqisë. Beçiragiq ishte edhe selektor i Irakut, ndërsa në Kosovë fillimisht punoi te Peja. Në dy edicionet e fundit ka drejtuar Yllin dhe ka fituar dy tituj të kampionit.

Me Bosnjë-Hercegovinën, Beçiragiqin e presin sfida të mëdha.

“Ka pak kohë deri te dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Botëror e ka shumë punë. Do të lusja opinionin që të vazhdojë të japë përkrahje maksimale për djemtë e shkëlqyeshëm. Të gjithë së bashku do të japim maksimumin në periudhën që është para nesh. Shkojmë para, qëndroni me ne”, ka shtuar Beçiragiq.

Për KOHËN, trajneri boshnjak ka konfirmuar se do të vazhdojë punën edhe tek Ylli i Suharekës.

“Po, do të vazhdoj edhe me Yllin. Synimet me Yllin janë edhe më të mëdha”, ka theksuar shkurt Beçiragiq. Edhe në klub kanë konfirmuar se Beçiragiq do të mbetet në postin e trajnerit. Ylli pos që synon të mbrojë titullin e kampionit, synon edhe hapa të rëndësishëm në skenën evropiane.