Mbrojtësi i Atletico Madridit, Lucas Hernandez, ka arritur marrëveshje me Bayern Muenchenin, pasi ekipi gjerman i ka ofruar kontratë pesëvjeçare.
Gazeta “AS” të enjten ka raportuar se Hernandez në fund të këtij edicioni do t’i bashkohet Bayernit, që për kartonin e tij do t'i paguajë Atletico Madridit 80 milionë euro dëmshpërblim, transmeton KTV. 23-vjeçari, te Bayerni shihet si përforcim i rëndësishëm dhe gjithçka do të bëhet zyrtare para përfundimit të këtij edicioni.
Hernandez është pjesë e ekipit të parë të Atleticos prej vitit 2015 dhe deri më tash ka mbi 100 paraqitje. Ai këtë edicion ka shënuar një gol në 22 ndeshje, kurse me Atleticon ka kontratë deri në vitin 2024.
Hernandez ka edhe 15 paraqitje me Përfaqësuesen e Francës, me të cilën vitin e shkuar fitoi titullin e botës.