Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, është duke punuar në rikthimin e tij në fushën e gjelbër pas mungesës prej 10 muajsh.
Ai madje mund të paraqitet që në këtë vikend kundër Mainzit, pasi Bundesliga rinis po ashtu pas pushimit dyjavor, shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve.
Mainzi e Bayern Munichu takohen të shtunën në orën 18:30, në ndeshjen e xhiros së tetë.
Mainzi, skuadër te e cila është shqiptari Brajan Gruda, ka dy pikë në shtatë ndeshje.
Gruda është vlerësuar shumë, madje në xhiron e kaluar shënoi supergol në barazimin 2:2 me Borussia Moenchengladbachun.
Vetëm gjashtë lojtarë të Mainzit kanë realizuar gola në edicionin aktual, dhe Gruda është në mesin e tyre.
Por pavarësisht formës së dobët, Mainzi mund ta befasojë Bayernin. Ndaj Bayernit i ka fituar tri ndeshjet e fundit në shtëpi, në Bundesligën gjermane.
Bayern është lartë në tabelë pasi ka tubuar 17 pikë në shtatë ndeshje.
Në dyshim për të luajtur te bavarezët në këtë ndeshje janë edhe Serge Gnabry e Matthijs de Ligt.
Bayerni ende nuk ka disfatë në Bundesligë në këtë edicion, dhe bashkë me Bayer Leverkusenin e Dortmundin, pritet të jenë pretendentët kryesorë për titull kampioni.
Leverkuseni, pjesë e të cilit është Granit Xhaka, do të jetë mysafir i Wolfsburgut të shtunën nga ora 15:30.
Leverkuseni ka 19 pikë, kurse Wolfsburgu ka 12 pikë.
Befasi në fillim të këtij edicioni vlerësohet edhe Stuttgarti, që të shtunën luan në udhëtim tek Union Berlini nga ora 15:30.
Stuttgarti pas shtatë ndeshjeve ka 18 pikë, kurse Union Berlini ka gjashtë pikë.