Portieri Manuel Neuer do të jetë titullar te Bayern Munichu për herë të parë pas një kohe të gjatë. Ai do të jetë në portë kundër Darmstadtit, ndeshje kjo që luhet në “Allianz Arena” të shtunën prej orës 15:30 në kuadër të xhiros së nëntë të Bundesligës. Për Neuerin, kjo do të jetë ndeshja e parë që nga aksidenti i vitit të shkuar kur e theu këmbën gjatë skijimit.
Për herë të fundit, Neuer u paraqit në portë në Botërorin “Katari 2022” kur luajti për Gjermaninë, e cila u eliminua në fazën e grupeve. Më 1 dhjetor të vitit të shkuar, Neuer regjistroi paraqitjen e tij të fundit, ndërsa në javë më vonë theu këmbën derisa ishte me pushime. Bayerni që ka 20 pikë dhe nuk di për humbje këtë edicion, vlerësohet favorit përball Darmstadtit, i cili në tetë xhirot e para ka tubuar vetëm shtatë pikë.
Të shtunën, në të njëjtën kohë, luan edhe Stuttgarti që e pret Hoffenheimin. Stuttgarti ka befasuar me rezultatet këtë edicion pasi është në vendin e dytë në Bundesligë, me një pikë më shumë se Bayerni.
Ndërkohë, Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës, do të mundohet ta mbajë pozitën e parë edhe pas xhiros së nëntë. Leverkuseni është lider në tabelë me 22 pikë, ndërsa të dielën prej orës 17:30 luan në shtëpi kundër Freiburgut. Edhe Borussia Dortmundi luan të dielën, por pres orës 15:30. Dortmundi është mysafir i skuadrës së Eintracht Frankfurtit.