Lideri i Bundesligës, Bayern Munichu, do të luajë në udhëtim tek Eintracht Frankfurti të shtunën nga ora 18:30, në kuadër të xhiros së 24-t.
Bavarezët do të mundohen ta përmirësojnë paraqitjen e tyre. Skuadra, që drejtohet nga trajneri Julian Nagelsmann, ka qenë larg formës që e kishte më parë. Ka marrë vetëm një fitore nga tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Por, pavarësisht formës jo të mirë, Bayerni mbetet lider ende në ligë me gjashtë pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Dortmundi.
Bayerni ka 55 pikë, ndërsa Dortmundi 49.
Eintracht Frankfurti nga ana tjetër zë vendin e 10-të në tabelë dhe është në seri prej dy humbjeve rresht.
Frankfurti u mposht 1:0 nga Koelni në ndeshjen e fundit.
Frankfurti në fakt fitoi kundër Bayernit në shtëpi në edicionin e kaluar dhe do të mundohet ta përsërisë të njëjtin sukses.
Në 10-të ndeshjet e fundit kundër Bayernit, i ka fituar katër ndeshje. Në përgjithësi, Bayerni është dominues në statistikat e ballafaqimeve mes vete.
Bavarezët kanë 55 fitore, ndërsa Eintrachti ka vetëm 24. 22 herë skuadrat janë ndarë baras.
Dortmundi i vendit të dytë do ta mbyllë xhiron e 24-t në Bundesligë. “Verdhezinjtë” luajnë në udhëtim tek Augsburgu të dielën në orën 17:30.
Erling Haaland kishte shënuar tri gola për Dortmundin në debutim, pikërisht kundër Augsburgut në udhëtim. Haalandi ka 56 gola në 57 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit gjerman.