Sport

Basketbollisti i Partizanit të Beogradit nuk luan për Azerbajxhanin ndaj Kosovës

Thuajse të gjitha mediat e mëdha në Serbi kanë shkruar ditëve të kaluara për paraqitjen eventuale të yllit të Partizanit të Beogradit, Zach LeDay, ndaj përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Amerikani 29-vjeçar ka debutuar të enjten mbrëma për përfaqësuesen e Azerbajxhanit. Por të premten u bë e ditur se basketbollisti cilësor nuk do të jetë pjesë e Azerbajxhanit për ndeshjen ndaj Kosovës.

“Zach LeDay kthehet në Beograd dhe nuk do të luajë për seleksionin e Azerbajxhanit ndaj të ashtuquajturës Kosovë. Ky vendim u mor para se basketbollisti i Partizanit të shkonte për të debutuar për reprezentacionin e ri”, ka shkruar sajti beogradas “mondo.rs”.

LeDay prej vitit 2021 luan për Partizanin e Beogradit. Paraqitet me sukses edhe në Euroligë.

Kontributi i tij nuk i ndihmoi Azerbajxhanit të enjten mbrëma, Azerbajxhani pësoi 72:53 nga Zvicra në Fribourg, në kuadër të xhiros së parë të raundit të parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. LeDay ndeshjen e përfundoi me 22 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Ishte bindshëm lojtari më i mirë i Azerbajxhanit.

Po të enjten mbrëma, Kosova fitoi 83:76 ndaj Irlandës në Prishtinë. Të dielën, Azerbajxhani e Kosova takohen prej orës 11:00 në Baku. Irlanda e Zvicra luajnë prej orës 16:00 në Dublin. Zvicra e Kosova pritet të luftojnë për pozitën e parë në Grupin A.

Dy xhiro të tjera janë në nëntor e dy të fundit në shkurt të vitit 2025.

Azerbajxhani për herë të parë paraqitet në kualifikimet për Kupën e Botës. Vlerësohet përfaqësuese e vogël në basketbollin ndërkombëtar, por ka natyralizuar dy basketbollistë cilësorë. Pos krah-qendrës së Partizanit, LeDay, pasaportën e Azerbajxhanit e mori edhe qendra e Monacos, Donta Hall. Hall është 26-vjeçar dhe me Monacon luan në Euroligë. Te Monaco është prej vitit 2021. Basketbollisti i gjatë 208 cm, ka të kaluar në NBA. Në Euroligë këtë edicion po paraqitet me mesatare prej 4,5 pikëve dhe 3,3 kërcimeve për ndeshje.

Jo rrallë basketbollistë cilësorë amerikanë vendosin të luajnë për përfaqësuese nga Evropa, në mënyrë që të llogariten evropianë në skuadrat e tyre. Kjo u krijon skuadrave mundësi për të angazhuar edhe një basketbollist tjetër amerikan. Shumë përfaqësuese evropiane kanë në radhët e tyre amerikanë të natyralizuar. FIBA lejon paraqitjen e vetëm një lojtari të natyralizuar në ndeshje, por federatat shpesh natyralizojnë edhe më shumë. Kështu ka vepruar edhe Azerbajxhani, që ka angazhuar dy lojtarë cilësorë të Euroligës.

Kosova aktualisht e ka të natyralizuar fundorin Dominic Artis. Ai luan për Bodrumsporin në Turqi, në nivel dukshëm më të ulët se amerikanët e Azerbajxhanit. Por Artis nuk është grumbulluar për ndeshjet me Irlandën dhe Azerbajxhanin, me arsyetimin zyrtar se është i lënduar.

Kosova ka edhe basketbollistë të tjerë të natyralizuar. Por vetëm i pari prej tyre, Justin Doellman, kishte bërë në të vërtetë dallimin. Të tjerët nuk është se kanë shfaqur më shumë se basketbollistët e tjerë të vendit.