Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, ka shënuar fitoren e parë në edicionin aktual. Pas tri humbjeve rresht, Ylli të dielën e mposhti Sigal Prishtinën, në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll.
95:69 ishte rezultati i takimit në Suharekë.
Mikaile Tmushiq shkëlqeu në fitoren e Yllit. Ai ndeshjen e mbylli me 30 pikë, shtatë kërcime e katër asistime.
Brandon Randolph kontribuoi me 14 pikë, nëntë asistime e shtatë kërcime. Gëzim Morina ndeshjen e mbylli me 19 pikë, nëntë kërcime e katër asistime.
Te Prishtina më i miri ishte Muhamedali Janjeva me 23 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime. Meriton Ismaili realizoi 21 pikë, ndërsa i kishte edhe pesë kërcime.
Prishtina tani ka bilanc prej dy fitore e dy humbje.