Sport

Basketboll, derbi luhet në Rahovec

Ndeshja ndërmjet Rahovecit dhe Golden Eagle Ylli, do të jetë derbi i xhiros së 14-të, që do të jetë e fundit për stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja do të zhvillohet të shtunën, në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec prej orës 15:00, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës. Rahoveci është lider në Superligë me 23 pikë, dy më shumë se Ylli që zë vendin e tretë.

Në këtë derbi, Rahoveci futet pas një serie prej dy fitoreve rresht, derisa Ylli nuk di për humbje në katër ndeshjet e fundit. Të shtunën, në të njëjtën kohë zhvillohet edhe ndeshja tjetër e kësaj xhiroje ndërmjet Pejës dhe Vëllaznimit që luhet në palestrën “Karagaçi”.

Xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor, do të mbyllet të dielën me dy ndeshje tjera. Në Prizren, skuadra e Ponte Prizrenit e pret Trepçën që nuk di për fitore që nga xhiroja e katërt. Kjo ndeshje nis në orën 15:00, kurse prej orës 17:00 do të luhet dueli ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.