Kampioni i Kosovës në Ligën e Femrave, Bashkimi këtë vikend udhëton në Pejë të përballet me Penzën për titullin e kampionit vjeshtor.
Ndeshja ndërmjet këtyre dy skuadrave, zhvillohet të shtunën në palestrën "Karagaçi" të Pejës, me fillim prej orës 17:00. Ky duel i takon xhiros së nëntë të Ligës së Femrave.
Bashkimi është lider në tabelë me 14 pikë të tubuara, dy më shumë se Penza që renditet e dyta. Megjithatë, si Bashkimi ashtu edhe Penza janë ekipet e vetme në Ligën e Femrave që nuk dinë për humbje këtë edicion.
Njëherësh, këto dy ekipe u patën takuar edhe në finalen e plejofit në edicionin e shkuar, ku Bashkimi pati fituar titullin e kampionit pas tri fitoreve rresht.
Te Bashkimi ka optimizëm se mund ta mbyllin pjesën vjeshtore pa asnjë humbje, ndonëse Penzën e vlerësojnë lart.
Të dyja ekipet, në radhët e veta kanë nga dy lojtare të huaja. Krahas Bashkimit e Penzës, këtë edicion në garë për titullin e kampionit është edhe Prishtina.