Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bashkimi shokon Yllin, kalon në finale të Kupës

Bashkimi i Prizrenit do të luaj në finale të Kupës së Kosovës në basketboll. Ndonëse i vlerësuar autsajder, Bashkimi të premten mbrëma e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultatin 78:72. Ndeshja u luajt në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Bashkimi ishte autsajder edhe në çerekfinale ndaj Prizreni-16, por arriti në gjysmëfinale e tani edhe në finale.

Ylli po dominon në kampionat, por ka pasur telashe të mëdha të premten mbrëma. Ndërkohë Bashkimi ka shfaqur nivel të lartë të lojës. Suharekasit e fituan çerekun e parë me 23:15, por më pas prizrenasit u kthyen në lojë dhe në fund arritën te fitorja.

John Florveus sërish kishte ndeshje të madhe te Bashkimi. Ai kontribuoi në fitore me 17 pikë e 12 kërcime. Valon Bunjaku shtoi 13 pikë e gjashtë kërcime. Ndeshje të madhe kishte edhe Alban Veseli që kontribuoi me 12 pikë e gjashtë kërcime. 16 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime i kishte Julien Lewis.

Te Ylli, Erjon Kastrati realizoi 20 pikë e pesë kërcime. Mikaile Tmushiq shtoi 18 pikë.

Të dielën nga ora 18:00, Bashkimi takohet në finale me Trepçën.

Artikuj të ngjashëm