Bashkimi ka fituar përballjen prizrenase për të bërë vend në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Të enjten mbrëma në Pejë, në ndeshjen e fundit çerekfinale, Bashkimi e mposhti Prizreni-16 me rezultatin e lartë, 94:69.
Kështu Bashkimi siguron ndeshjen gjysmëfinale ndaj Golden Eagle Yllit. Në gjysmëfinalen tjetër takohen Trepça e Peja. Ndeshjet gjysmëfinale në program janë të premten po në “Karagaçi”.
John Florveus ishte i pandalshëm te Bashkimi. Ai ndeshjen e mbylli me 22 pikë e 11 kërcime.
Valon Bunjaku kontribuoi me 16 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime. Ndërsa Julien Lewis shtoi 25 pikë, katër kërcime e tri asistime.
Xavier Xanefax me 18 pikë ishte më efikasi te Prizreni. Courtney Fells shtoi 15 pikë, ndërsa statistikat më të mira i kishte Qëndrim Ajazaj. Ai ndeshjen e mbylli me shtatë pikë e tetë kërcime. Te Prizreni u vërejt shumë mungesa e Ivan Koleviqit, që tashmë është larguar nga skuadra.