Bashkimi ka bërë përmbysje të madhe në rezultat për ta fituar derbin e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Bashkimi i Prizrenit e mposhti Trepçën me shifrat 87:83. Trepça ka qenë në epërsi në tre çerekët e parë, por është dominuar plotësisht në të fundit dhe kështu ka pësuar humbjen e tretë këtë edicion, të dytën nga Bashkimi.
Madje në çerekun e tretë vendasit kishin epërsi deri në 18 pikë (66:48, 70:52), por seria e prizrenasve në çerekun e katërt ishte impresive. Në mesin e çerekut të katërt, Bashkimi kaloi në epërsi 75:74, ndërsa lojtarët e kësaj skuadre e ruajtën qetësinë edhe në aksionet vendimtare për të fituar në fund me 87:83.
Fundori Valon Bunjaku ishte i jashtëzakonshëm, duke e mbyllur ndeshjen me 30 pikë, katër kërcime e plot tetë asistime. Anton Kazarnovski shtoi 26 pikë.
Ty Cockfield ishte më i miri te Trepça me 25 pikë, por ai dështo në aksionet vendimtare.
Trepça mbetet e dyta me 21 pikë, përkatësisht me bilanc prej nëntë fitore e tri humbje. Ndërsa Bashkimi kalon shumë skuadra në tabelë dhe tani mban vendin e tretë me 19 pikë.
Me rezultat 87:83, Bashkimi e kishte mposhtur Trepçën edhe në ndeshjen e parë.