KB Bashkimi nga Prizreni ka arritur marrëveshje me basketbollistin Obinna Oleka që do të jetë pjesë e klubit deri në fund të sezonit.
Bashkimi të shtunën ka njoftuar për angazhimin e basketbollistit të gjatë 203 centimetra që luan në pozitat 4 dhe 5.
“Ekipi ynë ka arritur marrëveshje me basketbollistin nigeriano-amerikan, Obinna Oleka, i cili do të na ndihmojë në pjesën e mbetur të kampionatit për t'i arritur objektivat tona”, ka shkruar Bashkimi në Facebook.
Oleka së fundi ka luajtur në Suedi te Djurgardeni dhe ka pasur mesatare prej 11.1 pikëve dhe 8.8 kërcimeve në 19 ndeshje të zhvilluara.
Oleka gjithashtu ka karrierë edhe në skuadrat si KTE-Duna (Hungari), Gigantes de Jalisco (Meksikë), St. John's Edge (Kanadë), Argention de Junin (Argjentinë) e Enea Brindisi (Itali).