Mbrojtësi i Napolit dhe i Koresë së Jugut, Kim Min-jae, ka folur për interesimin që ka shprehur Manchester Unitedi për të, siç kanë raportuar mediat së fundmi.
Mediumet e huaja kanë shkruar se për bashkëlojtarin e Amir Rrahmanit, interesim kanë shprehur edhe disa skuadra të tjera të mëdha evropiane.
Por ai ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet, menjëherë pas barazimit 2:2 të Koresë së Jugut me Kolumbinë.
“Siç e dini ato janë spekulime dhe nuk janë aspak të vërteta. Dua të fokusohem në ekipin tim. Kam shumë turne përpara për të luajtur”, u ka thënë Kim gazetarëve. “U bënë katër vjet që ka spekulime të tilla dhe nuk është në rregull. Uroj që ju të mos i shpërndani ata artikuj. Unë jam i fokusuar në skuadër dhe jo në spekulime të pakuptimta. Kemi shumë ndeshje të rëndësishme para dhe për momentin dua të fokusohem vetëm te Napoli”, ka thënë ai.
26-vjeçari u transferua te Napoli nga Fenerbahçe në verën e kaluar dhe po luan vazhdimisht në formacionin e Luciano Spallettit, bashkë me Rrahmanin, kapitenin e Kosovës.