Ish-mesfushori i Shqipërisë, Migjen Basha ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në kategorinë e dytë të Zvicrës. Basha të hënën, në ditën e fundit të afatit kalimtar, i është bashkuar Neuchatel Xamaxit, ekip me të cilin ka firmosur kontratë njëvjeçare.
Basha te Xamaxi është transferuar si futbollist i lirë pasi muaj më parë ka shkëputur kontratën me ekipin nga Australia, Melbourne Victory.
“Migjen Basha i bashkohet ekipit tonë për sezonin 2020/21”, thuhet në njoftimin e Xamaxit që këtë edicion ka mbledhur tri pikë pas tri ndeshjeve të luajtura. Basha 33-vjeçar, ka karrierë të gjatë në futbollin evropian dhe pjesën më të gjatë të saj e ka kaluar në Itali.
Mesfushori kreativ karrierën e ka nisur te Lausanne në Zvicër në vitin 2004 për të vazhduar te Lucchese, Viareggio, Rimini, Frosinone, Atalanta, Torino, Luzern, Como, Bari e Aris Saloniki. Ai ka zhvilluar 33 ndeshje dhe ka shënuar tri gola për Shqipërinë, me të cilën debutoi në vitin 2013.