Ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Migjen Basha i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin australian. Skuadra e Melbourne Victoryt të enjten në sajtin zyrtar e ka falënderuar Bashën për kontributin e tij dhe i ka dëshiruar suksese në Evropë.
Sipas klubit, ishte kërkesë e Bashës që të largohet pas vetëm një viti në Australi. Basha ka thënë se shkëputja e kontratës me ekipin nga A-League ishte zgjidhja më e mirë. Ai e ka marrë këtë veprim shkaku i familjes, transmeton KOHA.
“Dua të falënderojë Melbournen për mikpritjen që më ka bërë. Kam kaluar kohë të mirë por kam marrë vendim të rikthehem në Evropë pasi mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë për mua dhe familjen time”, është shprehur Basha 35-vjeçar.
Fjalë të mira për Bashën ka pasur edhe menaxheri gjeneral i ekipit australian, Drew Sherman që e ka falënderuar mesfushorin për profesionalizmin e treguar.
Basha për Melbourne Victoryn ka shënuar tri gola në 25 paraqitje në të gjitha garat. Ai karrierë ka bërë edhe te Arisi, Bari, Luzerni, Como, Torino, Atalanta, Frosinone e Rimini.