Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barjuan para rastit të parë dhe me gjasë të fundit për ta udhëhequr Barçën në “Camp Nou”

Sergi Barjuan do të ketë rastin e tij të parë për të udhëhequr Barcelonën në “Camp Nou” kur do të presë Alavesin, ndeshje kjo që luhet të shtunën.

Mirëpo, ky mund të jetë edhe rasti i tij i fundit për të qenë në krye të Barçës. Trajneri i ekipit rezervë u promovua për të vepruar si trajner i përkohshëm në ekipin e parë pas shkarkimit të Ronald Koemanit. Barjuan trashëgoi një skuadër që është në vendin e nëntë në ligën spanjolle, dhe pas humbjeve nga Rayo Vallecano e Real Madridi.

“Kam shumë pak kohë për të punuar dhe për të arritur diçka në një moment të vështirë, por dua të sjell pak gëzim në lojën tonë”, tha Barjuan, i cili luajti nën drejtimin e Johan Cruyffit si mbrojtës i majtë te Barcelona nga viti 1993 deri në 2002. “Ka edhe shumë ndeshje në kampionat dhe gara është ende e hapur. Mirëpo, ne nuk guxojmë të lëshojmë më pikë, sidomos kur luajmë në shtëpi”.

Barjuan pritet ta udhëheqë Barçën edhe në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Dynamo Kievit që luhet javën e ardhshme në Ukrainë.