Futbollisti i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, ka thënë se shiriti i kapitenit i sjell atij gjithmonë motivim shtesë.
Megjithatë, futbollisti i Levantes në Spanjë ka nënvizuar se secili futbollist i përfaqësueses është kapiten, pasi të gjithë japin kontribut të barabartë në suksese.
“Është nder dhe kënaqësi për mua ta mbaj shiritin e kapitenit. Unë gjithmonë them se ne të gjithë jemi kapitenë, të gjithë japim kontribut për sukseset e kësaj përfaqësueseje. Meqë ra fjala, kur isha kapiten për herën e fundit në udhëtim te Armenia, e ku fituam 5:0, unë i shënova tre gola. Tani jam kapiten sërish”, ka thënë Bardhi në Razgrad të Bullgarisë.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut takohen të enjten në ndeshjen e parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Maqedonia e Veriut është në Ligën C, në grupin e katërt, bashkë me Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin.