Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bardhi beson që Maqedonia do të kalojë plejofin për t’u kualifikuar në Botëror

Sot në orën 17:00 në Zuerich do të tërhiqet shorti për gjysmëfinalet dhe finalen e plejofit për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar vitin tjetër.

Rivalët e mundshëm në gjysmëfinale për Maqedoninë e Veriut janë Portugalia, Italia, Skocia, Rusia, Uellsi dhe Suedia.

Te kjo përfaqësuese luajnë një numër i madh i shqiptarëve.

Mesfushori i Levantes, Enis Bardhi, kërkon që për kundërshtar të ketë një skuadër që nuk është në mesin e 10-të më të mirave në botë.

“Do të doja të kemi përballë një skuadër që nuk është në mesin e 10-të më të mirave në renditjen e përgjithshme botërore. Por në futboll nuk e di asnjëherë, çdokush mund ta mposht çdokënd. Ne do të jemi në rolin e autsajderit padyshim dhe kjo mund të jetë shumë pozitive për ne. Besoj fuqishëm se mund të shkojmë në Kupën e Botës”, ka deklaruar Bardhi për “ekipa.mk”.

Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit për Botëror do të luhen më 24 mars, ndërsa finalja më 29 mars të vitit të ardhshëm. Tre fituesit e tri finaleve do të udhëtojnë në Katar për Botërorin që mbahet në dhjetorin e vitit 2022.