Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bardhi afër rinovimit të kontratës me Levanten

Mesfushori shqiptar Enis Bardhi pritet të rinovojë edhe për një vit kontratën me ekipin nga La Liga, Levante, kanë njoftuar mediumet spanjolle të martën.

Bëhet e ditur se Levante tashmë i ka ofruar Bardhit rinovimin e kontratës deri në vitin 2023, pasi 24-vjeçari shihet si lojtar i rëndësishëm për ekipin. Kontrata aktuale e Bardhit skadon në vitin 2022, transmeton “Koha Ditore”.

Në rast se Bardhi pajtohet të jetë pjesë e Levantes edhe për katër vjetët e ardhshëm, atëherë klauzola e lirimit të tij pritet të bëhet me e madhe se 50 milionë euro.

Bardhi është pjesë e Levantes prej verës së vitit 2017 kur u transferua nga Ujpesti i Hungarisë për 1.5 milionë euro. Ai në kampionatin e Spanjës ka treguar paraqitje të mira përgjatë këtyre dy edicioneve, duke shënuar 12 gola dhe asistuar pesë herë në 62 paraqitje.

Shquhet sidomos për goditjet nga gjuajtjet e lira. Bardhi është reprezentues i Maqedonisë dhe deri më tash ka shënuar një gol në 11 ndeshje.