Skuadra e Barcelonës do të kërkojë reagim të menjëhershëm në kampionat pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës nga Real Madridi. Të dielën e shkuar Barcelona u mposht 4:1 në duelin e luajtur në Riad të Arabisë Saudite. Tani fokusi i Barcelonës është te ndeshja në udhëtim kundër Real Betisit, e cila i takon xhiros së 21-të në La Liga. Kjo ndeshje luhet të dielën dhe nis prej orës 18:30. Barcelona është e katërta në tabelë me 41 pikë, dhjetë më shumë se Betisi që është i shtati dhe në pesë ndeshjet e fundit në kampionat ka vetëm një humbje. Kjo është vetëm njëra prej pesë ndeshjeve që zhvillohen të dielën në kuadër të kësaj xhiroje.
Dueli i parë është ai ndërmjet Osasunas dhe Getafes që nis në orën 14:00, ndërsa prej orës 16:15, Real Madridi e pret Almerian. Reali në këtë ndeshje futet pas eliminimit në 1/8 e finales të Kupës së Spanjës nga Atletico Madridi. Reali është i dyti në tabelë me 48 pikë, një më pak se Girona që është lidere por që ka një ndeshje më shumë të luajtur.
Edhe Girona luan të dielën, por prej orës 21:00 kundër skuadrës së Sevillas. Të shtunën janë katër ndeshje, kurse veçohet dueli i orës 16:15 mes Villarrealit dhe Mallorcas. Ndërkohë, në orën 18:30 Valencia e pret Athletic Bilbaon.
Kjo xhiro e kampionatit spanjoll do të mbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet Granadas dhe Atletico Madridit, e cila nis në orën 21:00. Atletico do të jetë i motivuar për këtë përballje, pasi iu revanshua Real Madridit për humbjen që ia shkaktoi vikendin e shkuar në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës. Të enjten mbrëma Atletico e eliminoi Real Madridin nga Kupa e Spanjës.