Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona në pritje të rikuperimit, eliminimi nga Championsi krijon më shumë probleme për Xavin

Xavi Hernandez tha se Liga e Evropës nuk është vendi ku duhet të jetë Barcelona. ​​Por një tjetër humbje ndëshkuese nga Bayern Munich, të mërkurën, tregoi sërish se sa larg janë katalonjasit nga elita e Ligës së Kampionëve.

Në gjashtë ndeshje të luajtura në Grupin E, Barça kishte shënuar dy gola, në dy fitoret 1:0 ndaj Dynamo Kievit. Kundër Bayernit dhe Benficas, dy skuadrat e forta të grupit, Barça nuk arriti të shënonte asnjë gol dhe pësoi nëntë sish. Pati tri humbje me rezultatin 3:0 dhe një barazim pa gola, për të përfunduar e treta në grupin e Championsit.

Kur Xavi mori drejtimin e Barçës ekipi ishte në ritmin e fitoreve të njëpasnjëshme ndaj Dynamos dhe dukej se kishte një rrugë kthimi, një rrugë e mundshme drejt kualifikimit në fazën e nokautit. Kjo gjithmonë supozonte se ardhja e Xavit do të fillonte një rikthim në formë, që në të vërtetë ende nuk është materializuar. Barça pësoi humbjen e parë me Xavin si trajner në La Liga të shtunën e shkuar, në shtëpi ndaj Real Betisit, një pretendent tjetër për katër më të mirët në kampionat. Dhe tani statusi i Barcelonës si klub i Ligës së Kampionëve është vënë gjithashtu në dyshim të madh.

“Doja që të garonim në këtë Ligë të Kampionëve dhe të përpiqemi ta fitojmë atë, por realiteti është se ne nuk jemi në atë nivel. Është e vështirë, por kështu është situata”, e pranoi Xavi.

Ndikimi i menjëhershëm do të jetë kryesisht financiar, me Barcelonën duke humbur rreth 15 milionë euro që do t’i kishte fituar me të arritur në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve dhe që klubi i kishte parashikuar në llogari. Për t’i fituar të njëjtat para në Ligën e Evropës, Barcelona duhet ta fitojë këtë garë të nivelit të dytë evropian.

Edhe Xavi largohet i dëshpëruar, puna e tij nuk u vlerësua sa duhet Futboll Xavi largohet i dëshpëruar, puna e tij nuk u vlerësua sa duhet

Për çdo klub si pasojë e pandemisë humbjet e papritura si këto janë të dëmshme, por për Barcelonën, që ende ka më shumë se një miliard euro borxh dhe në përpjekje për të nisur një rinovim të stadiumit dhe ambienteve stërvitore në vlerë prej 1.5 miliardësh, është një goditje e rëndë. Po ashtu eliminimi nga Championsi do të ketë ndikim edhe në transferimet e mundshme. Tashmë përforcimet e parashikuara janë bërë edhe më të vështira për Barcelonën që t’i përballojë. Po ashtu nuk dihet nëse lojtarët do të jenë të interesuar që të luajnë për një klub që është në rënie të lirë.

Çdo objektiv në afatin kalimtar të janarit me të drejtë mund të pyesë veten nëse largimi nga Liga e Kampionëve është një gabim apo një shenjë e gjërave që do të vijnë. A do të largohet Ferran Torres nga Manchester City për të luajtur me Barcelonën në Ligën e Evropës, mbetet të shihet muajin tjetër.

Edhe Lionel Messi, që u largua në verë nga Barcelona për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit, mund të ketë një ndjenjë lehtësimi. Në fakt eliminimi në Champions dhe forma e dobët në La Liga vetëm forcojnë ndjenjën se Messi kishte të drejtë që vendosi të mos jetë më pjesë e ekipit. Gjithashtu nuk mund të jetë krejtësisht e rastësishme se hera e fundit që Barcelona luajti në Ligën e Evropës ishte sezoni 2003/04, edicioni para se Messi të bënte debutimin e tij me fanellën e Barçës. Me siguri do të ketë një goditje në moralin dhe besimin e lojtarëve, për të cilët statusi dhe madhështia e Barcelonës kanë qenë një nga burimet e fundit që kishte mbetur.

Pas Real Madridit me 16 pikë tashmë në La Liga, Barcelona mund të ketë të shuar çdo shpresë për të fituar titullin e kampionit. Mirëpo shumica ende besojnë se Barcelona ishte shumë e madhe për të mos mposhtur Real Sociedadin dhe Real Betisin për një vend në topkatërshe. Ky besim ndihet më pak i sigurt me skuadrën që do të jetë në shortin për 1/16 e Ligës së Evropës që do të tërhiqet të hënën. Ekziston edhe një ironi në përkushtimin e palëkundur të Barcelonës ndaj Superligës Evropiane, një projekt që do të kalonte Ligën e Kampionëve, turne në të cilin Barcelona nuk është më mjaft e mirë për të luajtur. Tani për tani Xavi mbetet relativisht i panjollosur nga e gjithë kjo, edhe pse ai ka humbur atë që do të ishte një nxitje e mirëpritur për autoritetin e tij. Në kuptimin praktik puna e Xavit në gjysmën e dytë të këtij edicioni sapo është bërë edhe më e vështirë. Ai duhet të përpiqet për ta fituar Ligën e Evropës pa dëmtuar shanset e ekipit për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm përmes La Ligës. E ky mision i dyfishtë nuk do të jetë aspak i lehtë.

Edhe Xavi fajëson gjyqtarët për eliminimin e Barcelonës Futboll Xavi fajëson gjyqtarët për eliminimin e Barcelonës

“Duhet të fillojmë nga e para. Ne duhet ta fitojmë Ligën e Evropës dhe të rikuperojmë pikët e humbura në La Liga deri në fund të sezonit, në mënyrë që të luajmë sërish në Champions. Shpresoj që ndoshta në janar të transferojmë ndonjë futbollist, por as kjo më tani nuk është e sigurt”, pranoi Xavi.

Shumica do të presin që Barcelona të përparojë në Ligën e Evropës, por ka shembuj të panumërt të klubeve elitare evropiane që digjen nga kundërshtarë shumë të motivuar, shpesh të nënvlerësuar në këtë garë. Përveç kësaj, në raundet e mëvonshme të Ligës së Evropës pakkush do të shprehte shumë besim se Barça do të mposhtte skuadrat si Porto, Leipzigu apo Borussia Dortmundi, për të mos përmendur Betisin, Sevillan apo Real Sociedadin, edhe me formacionin e saj më të fortë. Të fitojë trofeun e Ligës së Evropës dhe të sigurojë kualifikimin në Champions “me një goditje të vetme”, është tashmë skenari i ëndrrave për Xavin, por sikurse për rikuperimin e Barcelonës, edhe kjo rrugë do të jetë shumë e gjatë, e vështirë dhe pa garanci.