Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona kërkon fitoren ndaj Villarrealit

Pas eliminimit nga Kupa e Spanjës, Barcelona kërkon të vazhdojë me fitore në kampionat për të mbajtur hapin me kreun e tabelës. Barcelona të mërkurën mbrëma u eliminua në çerekfinale të Kupës së Spanjës, e cila erdhi pak ditë pas humbjes në finalen e Superkupës nga Real Madridi.

Në xhiron e 22-t të La Ligas, Barcelona e pret në shtëpi skuadrën e Villarrealit në ndeshjen që luhet të shtunën prej orës 18:30. Barcelona është në seri prej dy fitoreve në kampionat dhe synon fitoren e tretë rresht për ta ruajtur pozitën e tretë në tabelë. Aktualisht Barça ka 44 pikë dhe vlerësohet favorite ndaj Villarrealit, ekip që ka 20 pikë më pak dhe është i 14-të. Po ashtu, Villarreali në pesë ndeshjet e fundit në kampionat ka vetëm një fitore karshi një barazimi dhe tri humbjeve.

Të shtunën, por prej orës 16:15 luan edhe Real Madridi, i cili është mysafir i skuadrës së Las Palmasit. Reali në këtë përballje futet pas polemikave të shumta dhe dyshimeve për fitoren e xhiros së shkuar kundër Almerias. Reali është i dyti me 51 pikë, një më pak se Girona që prin në La Liga, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur.

Ndeshja e fundit e ditës së shtunë do të jetë ajo prej orës 21:00 ku Mallorca e Vedat Muriqit e pret në shtëpi Real Betisin.

Të dielën, luhen katër ndeshje kurse vëmendja më e madhe do të jetë në dy prej tyre. Prej orës 14:00, Celta Vigo do të tentojë ta ndalë hovin e Gironës, ndërsa në orën 21:00, Atletico Madridi e pret skuadrën e Valencias.

Dueli i fundit i xhiros së 22-të në kampionatin spanjoll do të luhet të hënën prej orës 21:00, ku Getafe përballet me Granadan.