Barcelona ka shënuar fitore të enjten mbrëma në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës ndaj Osasunas, dhe i është bashkuar Real Madridit në finale.
Barça fitoi me rezultatin 2:0 në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Al-Awaal Park”, në Riad të Arabisë Saudite.
Golin e epërsisë 1:0 e shënoi sulmuesi polak, Robert Lewandowski, në minutën e 59-të. Ai u asistua për mrekulli nga Ilkay Guendogan.
Ndërkohë, i talentuari Lamine Yamal, shënoi për 2:0 në minutën e tretë të kohës shtesë, pas veprimit të mirë individual në zonë.
Barcelona fitoren e fundit në ndeshje zyrtare me më shumë se një gol dallim e kishte shënuar në shtator të vitit 2023 kundër Antwerpit në Ligën e Kampionëve.
Ajo ndeshje ishte mbyllur me rezultatin 5:0.
Që nga ajo kohë, të gjitha 12-të fitoret e Barcelonës ishin me një gol dallim. Finalja Real Madrid – Barcelona do të luhet të dielën në mbrëmje.