Barcelona e ka mbajtur epërsinë e katër pikëve ndaj Real Madridit në elitën e futbollit spanjoll, pas fitores në udhëtim te Villarreali të dielën në mbrëmje.
Barcelona ndeshjen shumë interesante që i takoi xhiros së 17-të të La Ligas, e fitoi me rezultatin 2:0.
Braziliani Raphinha shënoi nga penalltia në minutën e 12-të për 1:0, ndërsa prej minutës së 39-të, Villarreali luajti me një futbollist më pak në fushë.
Me të kuq u përjashtua Renato Veiga.
Kjo u shfrytëzua nga mysafirët, që dyfishuan rezultatin në minutën e 63-të. Superylli i futbollit, Lamine Yamal, e vendosi sfidën.
Barcelona e para në tabelë i ka 46 pikë, ndërsa përcillet nga Real Madridi me 42 pikë. Villarreali i katërti i ka 35 pikë.