Krerët e Barcelonës kanë hequr dorë nga sulmuesi i krahut, Ousmane Dembele. Mediumet spanjolle kanë raportuar të enjten se Barça ka humbur shpresat për ta mbajtur Dembelen edhe pas përfundimit të këtij sezoni.
Dembele ka refuzuar edhe ofertën e fundit të Barcelonës dhe u ka bërë me dije krerëve të klubit se në verë do të largohet si lojtar i lirë.
Madje, thuhet se Dembele tashmë ka nisur kontaktet me skuadrat tjera që kanë shprehur interesim për ta transferuar falas. 24-vjeçari iu bashkua Barçës në vitin 2017 nga Dortmundi për 140 milionë euro kurse vazhdimisht ka pasur telashe me lëndimet. Këtë edicion, ai ka shënuar një gol dhe ka bërë dy asistime në 11 paraqitje në të gjitha garat.