Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona do të shesë të drejtat e emrit të stadiumit “Camp Nou” për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit

Barcelona do të shesë të drejtat e emrit të stadiumit “Camp Nou” për një vit në tentim, për të mbledhur para në luftën kundër koronavirusit. Paratë do të adresohen te Fondacioni i Barcelonës.

Bordi ekzekutivi i Barcelonës të martën ka njoftuar se klubi do të dhurojë të gjitha paratë që do të marrë nga shitja e të drejtave të emrit të stadiumit për të ndihmuar luftën kundër pandemisë.

“Camp Nou” është stadiumi më i madh në Evropë me më tepër se 99 mijë ulëse. Kurrë nuk ka pasur një sponsor të emrit që nga hapja në vitin 1957.

Por, Barcelona mund të vendosë që në të ardhmen të ndryshojë mendje. Një hap të ngjashëm kishte marrë edhe me sponsor të fanellave. Fillimisht kishte vendosur UNICEF-it në fanellë, e pak vite më vonë firmosi marrëveshje multi-milionë euro me sponsorë.


“Ne duam të dërgojmë një mesazh universal: Për herë të parë dikush do të ketë mundësinë të vendos emrin në Camp Nou dhe të hyrat do të shkojnë te gjithë njerëzimi, jo vetëm te Barça’”,ka deklaruar zëvendëspresidenti i klubit Jordi Cardoner. “Iniciativa është marrë në një situatë emergjente. Ne mendojmë se duhet të reagojmë shpejt dhe të vendosim xhevahirin e kurorës sonë në shërbim të luftës ndaj pandemisë”.

Barcelona kishte planifikuar të shiste të drejtat e emrit të stadiumit për 25 vjet nga stinori 2023-24. Por, kjo iniciativë është e pavarur nga ajo. Mirëpo, ai ka thënë se nëse ndonjë sponsor dëshiron të shtojë këtë edhe në marrëveshjen 25-vjeçare, atëherë klubi është gati të negociojë.

Cardoner ka thënë se shpreson të përfundohet marrëveshja brenda pak javëve. Më pas vendimi do të aprovohet në asamblenë e përgjithshme të anëtarëve të klubit, ku janë mbi 140 mijë, e që pritet të mbahet në tetor, nëse kushtet lejojnë.