Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona do të luajë larg stadiumit të saj në sezonin 2023/24

Barcelona do të luajë në sezonin 2023/24 larg “Camp Nou”, ndërsa stadiumi më i madh i futbollit në Evropë i nënshtrohet një riparimi masiv, tha klubi spanjoll të enjten. Klubi njoftoi se Barcelona do t'i luajë ndeshjet e saj në stadiumin “Lluis Companys” që është në pronësi komunale. Stadiumi, i cili ka një kapacitet prej rreth 60.000 spektatorësh, priti ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike të vitit 1992.

Po ashtu klubi tha se projekti i tij i vonuar prej kohësh për të rimodeluar dhe modernizuar stadiumin “Camp Nou”, i cili aktualisht strehon 99.000 spektatorë, do të fillojë këtë vit pasi të ketë marrë miratimin përfundimtar nga qyteti. Ndeshjet do të vazhdojnë të luhen në “Camp Nou” edhe sezonin e ardhshëm.

Pasi do ta luajë sezonin 2023/24 larg stadiumit “Camp Nou”, Barça dëshiron që ndeshjet të kthehen për sezonin 2024/25, megjithëse me frekuentim të reduktuar në 50 për qind të kapacitetit të tribunave për shkak të punës ndërtimore. Klubi planifikon të përfundojë punën e stadiumit gjatë sezonit 2025/26.

“Do të jetë stadiumi më i mirë në botë, në qytetin më të mirë në botë dhe në shtetin më të mirë në botë. Për këtë ju garantoj personalisht”, ka thënë shkurt presidenti i Barçës, Joan Laporta.

Klubi dëshiron të rrisë kapacitetin e stadiumit “Camp Nou” në 110.000 ulëse, duke rinovuar gjithashtu zonën përreth, e cila përfshin një pavijon për sportet e tjera të klubit, muzeun dhe dyqanet. Barça ka buxhetuar 1.5 miliardë euro për projektin.

Rivali i Barcelonës, Espanyoli, luajti në stadiumin “Lluis Companys” nga viti 1997 deri në vitin 2009. Stadiumi, fusha e të cilit rrethohet nga një shteg i atletikës, ndodhet në majë të një kodre të vogël që ofron pamje të qytetit mesdhetar. Barcelona kishte konsideruar përdorimin e stadiumit të saj shumë më të vogël “Johan Cruyff”, i cili ndodhet jashtë qytetit, si një vend alternativ.

Edhe Barça të shtunën kthehet të luajë në “Camp Nou” Futboll Barça të shtunën kthehet të luajë në “Camp Nou”

“Punimet e rinovimit në ‘Camp Nou’, epiqendra e projektit ‘Espai Barça’, do të nisin këtë qershor, sapo të ketë përfunduar sezoni futbollistik dhe në përputhje me lejen e ndërtimit. Puna do të fokusohet në nivelin e parë dhe të dytë, aspektet teknologjike, rrethinat e stadiumit dhe urbanizimin e jashtëm”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

“Stadiumi ‘Camp Nou’ i ardhshëm do të inkorporojë teknologjitë më të fundit, duke përfshirë një ekran 360 shkallës brenda që do të ofrojë një përvojë të re tifozësh. Do të përmirësohen gjithashtu sistemet e sigurisë dhe kontrollit të aksesit të automjeteve dhe do të përdoren maksimalisht mundësitë që ofron lidhja 5G”.